Kurti i shkruan letër BE-së për zgjedhjet e Serbisë më 3 prill.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, për të sqaruar vështirësitë, lidhur me kërkesën e autoriteteve të Serbisë që Kosova të bashkëpunojë me OSBE-në për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në Kosovë.
Kurti në letër tha se zgjedhjet e 3 prillit e Serbisë mund të mbahen në Republikën e Kosovës vetëm në përputhje me një marrëveshje ndërmjet dy Qeverive tona përkatëse.
“Është për keqardhje që, derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe Quint-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive tona, strukturat ilegale të Serbisë po mundohen të përgatisin dhe të organizojnë zgjedhjet në territorin tonë sikur të mos ekzistonte Qeveria jonë. Dhe janë duke e bërë këtë me financim nga Beogradi, natyrisht. Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet “do të mbahen”, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës “, thuhet në letër.
Kryeministri tutje tha se “ Po ashtu, referimi i tyre te ‘votuesit me të drejtë vote’ dhe jo ‘votuesit jashtë vendit’, është në shpërputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Për më tepër, kjo përpjekje për ta nënçmuar Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore“.
Ndryshe mbrëmë, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka vendosur që votuesit nga Kosova, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit, mund të votojnë në qendrat e votimit në katër komuna të Serbisë – Bujanoc, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.