Kur fjalët mallkojnë prangat

Fjalët e lira digjen si gështenjat

në prushin e mbrëmjeve të vjeshtës,

kërcasin ngadalë, psherëtijnë të ngratat,

si zogj të mbyllur në kafazin e heshtjes.

S’kanë krahë, as flatra të fluturojnë,

ua kanë lidhur ëndrrat demonët e kohës,

por thellë në shpirt ende pëshpëritin,

si krojet e malit në zemër të tokës.

Mbi skarën e kohës lëshojnë ofshamë,

si gështenjat që digjen në zjarrin e natës,

sa shumë fjalë mbetën pa u thënë,

sa shumë të vërteta u fshehën nëpër arka.

Kalorësit e çeliktë, të shitur për një grosh,

ua kanë zënë pritën ëndrrave të bardha,

por fjala e lirë nuk vdes në pranga,

ajo mbin si bari edhe mbi gurë e varre.

Nëpër poret e ajrit ngjitet me mall,

kërkon një çarje në mjegullën e rëndë,

të shpojë retë e të prekë kaltërsinë,

ku dielli i lirisë shëndrit qytete e fshatra.

Një ditë, kur agimi të zgjojë malet,

kur era t’i përkëdhelë fushat e gjera,

fjalët do të marrin flatra të bardha

e do të fluturojnë përtej të çarave.

Atëherë do të marrim frymë më lirshëm,

do të çelen buzët, do të këndojë shpirti,

dhe ne, mes njerëzve të lirë,

do ta gjejmë përsëri udhën e dritës.

Burimi: Botasot