GazetaMax
Lajme

Kurti nga Krusha e Madhe: Që jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë është mësimi që na e japin gratë e Krushës

Kurti: Që jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë është mësimi që na e japin gratë e Krushës.
Kryeministri Albin Kurti nga Krusha e Madhe ka thënë se e ka shumë të qartë përmasën e punës që duhet kryer për të sjellë drejtësinë e munguar për 241 personat e vrarë në këtë fshat 23 vjet më parë.
“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur se për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejt. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë dhe të angazhohemi shumë për drejtësinë për neve. Të gjithë së bashku, qeveria dhe qytetarët, duhet të vendosen në të njëjtin parim dhe të njëjtën sjellje – duhet të realizojmë një shtet që e llogarit ndërtimin e vet në radhë të parë, mbi drejtësinë për viktimat e Kosovës”.
Kurti iu ka thënë krushjanëve se do të kërkojnë drejtësi për këtë masakër, që është një prej më të mëdhave në luftën e Kosovës, duke filluar nga angazhimi i institucioneve të vendit.
“Cila është drejtësia që duhet të na shërbejë ne? A është ajo abstrakte, teorike, e rënë nga qielli apo e importuar? Sigurisht që jo. Dje përkujtuam ndërhyrjen e NATO-s në historinë tonë të luftës çlirimtare, në historinë tonë të vetëm dy dekadave më parë, e vetëm një ditë më vonë pati nisur masakra në Krushë të Madhe – 241 veta. Drejtësia jonë nuk ka nevojë të jetë as abstrakte e as e importuar. Për këta 241 veta kërkojmë drejtësi pikë së pari që nis nga vetë angazhimi jonë. Askush nuk ka pse të vijë e të në mësojë krimet e luftës e të gjenocidit, viktimat foshnje, gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur. Përkundrazi, ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen të harrojnë fatin e mijëra njerëzve në Kosovë për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre. Gjithkush duhet të mësojë nga sakrifica e tjetrit. Duke vënë në vend drejtësinë për viktimat dhe masakrat që janë kryer mbi njerëzit tanë ne i bëjmë nder edhe shoqërive demokratike”.
Shefi i qeverisë kosovare ka përmendur edhe gratë e Krushës duke thënë se ato tashmë janë një histori e dhimbjes e rrëfyer ndërkombëtarisht.
“Më e rëndësishmja është që ato na e ligjërojnë dhe mësojnë jetën. Askush nuk e ka jetuar më intensivisht sesa ato. Sakrificat, mosdorëzimi, gjetja e shpresës në thelb të dhimbjes janë mësim jete për të gjithë ne. I tillë është për tërë pjesën e botës që e dëgjon historinë e tyre. Që jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë është mësimi që na e japin gratë e Krushës. Ato jetuan pavarësisht mërzitjes dhe plagëve në shpirt e në trup. Kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve, për kujdes dhe solidaritet, sidomos për kujtesë të fortë. Nuk mund të harrojmë asnjë dhe asgjë. U detyrohemi përjetësisht, për jetë të jetëve. Kështu duhet të niste puna jonë që prej fillimit”.
Kurti ka deklaruar se shteti e ndërton drejësinë mbi sakrificën që e bëri të mundur atë si shtet, pëndryshe e humbet rrugën.

Related posts

TV 24 në Maqedoninë e Veriut i referohet Kosovës si “Kosovo Metohija”, a duhet të reagojë Këshilli për etikë në media?

Gazetamax.mk

Pjesëtarët e ARM do marrin pjesë në misionet e NATO në Irak dhe Letoni

Gazetamax.mk

Pritje zyrtare e Fond der Lajen para Qeverisë

Gazetamax.mk