Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”: Mbështeteni numrin 17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në votimet e nesërme dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17. Ai u ka bërë apel edhe bashkëkombësve që ndodhen në Kosovë dhe kanë të drejtë vote në këto komuna, që të udhëtojnë drejt vendlindjes për të votuar.

Në një adresim publik të publikuar më 24 tetor, Kurti ka rikujtuar takimin e 29 shtatorit me drejtuesit e subjekteve politike shqiptare, i cili, sipas tij, përfundoi me marrëveshjen që ata të garojnë së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”.

Kurti ka theksuar se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë të ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta.

Ai ka përmendur diskriminimin, përjashtimin dhe shtypjen si çështje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje përmes solidaritetit, këmbënguljes dhe pjesëmarrjes demokratike.

“Nesër, është dita kur duhet të shprehni vullnetin tuaj. Përmes votës, secili e secila vendos për përfaqësimin, me kundërvënie si përgjigje”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë të drejtë vote në këto tri komuna, por që aktualisht ndodhen në Kosovë, të udhëtojnë drejt vendlindjes dhe të marrin pjesë në votime.

Po ashtu, ai u është drejtuar drejtpërdrejt shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke kërkuar mobilizim dhe pjesëmarrje sa më të gjerë në procesin zgjedhor, në mbështetje të listës me numrin 17.

Në fund të adresimit, Kurti ka theksuar rëndësinë e votës për të ardhmen e qytetarëve.

“Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, ka përfunduar ai.

Burimi: botasot.info