Shkup, 27 Shtator – Punëtorët janë në dyshim, sindikatat dhe qeveria janë në konflikt. Diskutohet për masën e pagave të punonjësve të sektorit publik dhe nga sindikata thonë se është gjithnjë e më e sigurt se nuk do të kenë rritje as në tetor.
Në fund të shtatorit skadon edhe afati ligjor për rritjen e pagave të tjera sipas pagës minimale, thekson Sindikata, ndaj presin seancë në gjykatë, që të dëshmojnë me argumente se Qeveria po shkel ligjin.
“Për herë të fundit është biseduar pas 1 majit me zëvendëskryeministrin dhe ministren e Punës dhe Politikës Sociale për rritje lineare të pagave solidare prej 2806 denarë. Asokohe nuk ishte përmendur ndonjë metodologji, kështu që nga muaji gusht, kur u zhduk dialogu social, kërkohej justifikim që të bëhej metodologji. Metodologjia është e shkruar qartë në Ligjin për pagën minimale dhe do ta përsëris edhe një herë: Me rritjen e pagës minimale, pjesa tjetër e pagës duhet të rregullohet në përqindje aq sa paga minimale u rrit”, theksoi Darko Dimovski – Kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Fatmir Bytyqi nga Qeveria bëri të ditur se sindikalistët do të thirren këto ditë, në mënyrë që deri në fund të vitit të hiqen dallimet dhe të nënshkruhet Kontrata e Përgjithshme Kolektive.
Sipas Qeverisë, rritja lineare e pagave nuk është zgjidhje dhe ofrohen zgjidhje të tjera.
“Ne duam të përcaktojmë një metodologji për rritjen e pagave në sektorin publik që do të bazohet në produktivitetin dhe efikasitetin siç kërkojmë në sektorin privat dhe sigurisht me një ligj të ri për pagat në sektorin publik. Edhe Ligji i pagave, edhe metodologjia e rritjes së pagave janë tashmë në proces në ministri dhe përveç kësaj, në përgatitjet e buxhetit tashmë po fillojmë të shohim mundësitë reale se në cilin nivel mund të shkojmë me metodologjinë e re të pagave”, tha Bytyqi
Më 1 shtator, LSM ka dorëzuar një raport në Gjykatën Themelore Civile, për të nisur procedurë kundër Qeverisë.
Sipas LSM-së, Qeveria nuk e respekton ligjin dhe nuk i rrit pagat për 18,4% të punëtorëve në sektorin publik – atyre që punëdhënës e kanë shtetin.