GazetaMax
Lajme

Manastiri le të jetë pjesë e kujdesit institucional ndaj margjinave tona etnike

Mbajtja e kësaj konference në Manastir, sa është frymëzuese, po aq është edhe kuptimplote në aspektin e kujdesit institucional ndaj margjinave tona etnike, të cilat nuk guxojnë të harrohen dhe të ngelin nën hijen e politikave ditore. Sa më shumë aktivitete kulturore e shkencore, me prani edhe fizike këtu në Manastir, aq më të qarta bëhen disa objektiva që sjellin në vëmendje interesimin e botës shkencore e akademike shqiptare mbi temat më pak të rrahura nga historia e dhimbshme e braktisjes së periferisë sonë etnike.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Të nderuar studiues dhe pjesëmarrës të Konferencës së VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës që do të mbahet sot dhe nesër në Manastir.

Jam i nderuar që në emër të Fondacionit “Hasan Prishtina” t’iu uroj mbarëvajtje punimeve të kësaj Konference, pikërisht këtu në Manastir,  me shpresë se studiuesit me punimet e tyre shkencore do ta bëjnë edhe më të qartë rolin arkivave në dokumentimin dhe ndriçimin e ngjarjeve, personaliteteve e procesve nga e kaluara. Sepse pa këtë njohje e kemi vështirë ta trasojmë të ardhmen e cila mund të jetë peng i së kaluarës nëse ideali mbi vërtetësinë nuk mbështetet në dokumenta dhe prova të tjera shkencore.

Më gëzon fakti që kjo Konferencë shkencore po i zhvillon punimet në Manastir dhe i përgëzoj organizatorët që kanë zgjedhur pikërisht këtë qytet të traditës sonë kulturore e arsimore, për të trajtuar një korpus temash që lidhen me arkivistikën, dhe jo vetëm.
Mbajtja e kësaj konference në Manastir, sa është frymëzuese, po aq është edhe kuptimplote në aspektin e kujdesit institucional ndaj margjinave tona etnike, të cilat nuk guxojnë të harrohen dhe të ngelin nën hijen e politikave ditore.

Sa më shumë aktivitete kulturore e shkencore, me prani edhe fizike këtu në Manastir, aq më të qarta bëhen disa objektiva që sjellin në vëmendje interesimin e botës shkencore e akademike shqiptare mbi temat më pak të rrahura nga historia e dhimbshme e braktisjes së periferisë sonë etnike.

Bashkëpunimi ynë shkencor në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë –Shkup ka filluar të funksionojë si një organizëm i cili ka kuptim vetëm kur është i plotë. Edhe kultura, shkenca dhe dija shqiptare bëhen të plota, vetëm atëherë kur qendrat tona albalonolgjike prodhojnë strategji gjithëpërfshirëse, duke krijuar një shtrat të natyrshëm të qarkullimit të ideve dhe ndërlidhjes së tyre me botën. Hapja ndaj të tjerëve është vlerë, kurse kusht për këtë është njohja fillimisht e vetvetes. Dhe më mirë se studiuesit askush tjetër  nuk mund të krijojnë interaksion në mes të praktikave hulumtuese e shkencore, gjithmonë në funksion të njohjes reciproke të kulturave, gjuhëve e civilizimeve.

Jam shumë i bindur se organizatorët e kësaj Konference shkencore, me kontributet e tyre shkencore do të arrijnë të nxjerrin në dritë disa të vërteta të cilat përmes hulumtimeve arkivore arrijnë të valorizohen dhe kontekstualizohen sipas kërkesave që e bëjnë më bindës një hulumtim shkencor.

Para se të përfundoj këtë fjalë timen përshëndetëse, dua edhe një herë t’i inkurajoj organizatorët që të vazhdojnë me veprimtari të ngjashme edhe në qendrat tjera shqiptare, duke i ofruar publikut prurje të reja shkencore të cilat nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e arkivave.

Më lejoni që edhe njëherë të shprehi entuziazmin tim lidhur me  organizimin e Konferencës së VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, kurse pjesëmarrësve të konferencës iu uroj suksese.

Manastir, 09 qershor 2023

(Fjalë përshëndetëse në hapje të Konferencës VII-të mbarëkombëtare të arkivistikës mbajtur në Manastir)

Related posts

Kontrabandë me mjaltë, djathë e dru

Gazetamax.mk

Këshilli i BE-së i miratoi konkludimet për zgjerimin dhe për Maqedoninë e Veriut

Gazetamax.mk

Catherine de Bolle: Europol ka bashkëpunim të mirë me Maqedoninë e Veriut

Gazetamax.mk