GazetaMax
Lajme

Të mendosh drejt synimeve fisnike

Bëhu prej atyre që shikon drejt mbarësisë, pastërtisë, morales dhe ardhmërisë së shëndoshë. Mos bjer në rrugën e prishjes, të pengimit, të destabilizimit. Evitoji pengesat, jep mund në atë që është e mirë; bëhu pjesëmarrës në evitimin e ngatërresave dhe bëhu faktor i konstruktivitetit,  sepse kjo të bën krenar, inspirues, kreativ, të lumtur, faqebardhë dhe të afërt me Zotin.

Nga Shaqiref. Fetahu

Aty ku përfundon forca e arsyes, e moralit, e urtësisë dhe e argumentit, aty fillon forca e verbër e thashethemeve, e shpifjeve, e sharjeve, e dyfytyrësisë dhe destruktivitetit.

Mundohu ta ngresh veten në piedestalin e lartë të vetëdijes, të urtësisë, të moralit, të guximit dhe të veprimit.

Kjo të bën të lëvizësh drejt synimit të pastërtisë dhe të devotshmërisë, drejt zhvillimit dhe përparimit, drejt konkurrencës dhe vlerës. Mos lejo të humbasësh më të shtrenjtën dhe më të shenjtën kohë për veprime ndaj niveleve të ulëta, vulgare, shpifëse, ofenduese, sepse do të ndodhë luhatje, lajthitje dhe ngadalësim në rrugën që ke synuar.

Fundja, është nënçmuese të merresh me të, të kthehesh poshtë, të merresh me veset e xhelozisë, të egoizmit, të destruktives, satanikes.

Kalitja më e madhe jotja është të mendosh drejt synimeve fisnike, për të cilën je përcaktuar. Ti je bartës i hyjnores, i së bukurës, i së mirës, i kreativitetit, i konkurrencës, i vlerës. Por, mundohu t’i kuptosh edhe ata që i ka robëruar e keqja. Mos i urre. Ndihmoju të dalin nga kjo gjendje e nënçmuar, mundohu të depërtosh në zemrat e tyre, për të eliminuar të keqen tek ata, sepse iu mungon fuqia e shpirtit dhe e zemrës për të reformuar vetveten drejt së mirës.

Ne nuk jemi të krijuar të nënçmojmë, të errësojmë; jona është të sjellim dritë, të shpëtojmë.

Do ta kesh vështirë, por do t’ia dalësh. Të jesh i sigurt, sepse kjo është rregull e Zotit.

Përpjekjet për një rrugëtim stabil në sfera të ndryshme të jetës, në veçanti në sferën individuale, familjare dhe institucionale, është qëllimi kryesor i çdo individi kudo që punon, sepse me këtë rritet ai vetë dhe populli që përfaqëson.

Por, është në egon e dikujt që stabiliteti, mbarësia dhe drejtimi moral u pengon dhe pavetëdije apo me vetëdije futen në pengimin dhe prishjen e këtij rrugëtimi të shëndoshë. Dhe, këtë e bëjnë,  normalisht, sepse dikujt i pengon ky rrugëtim dhe përpjekjet e tyre janë në shërbim të prishjes së këtij drejtimi.

Andaj, kujdes, bëhu prej atyre që shikon drejt mbarësisë, pastërtisë, morales dhe ardhmërisë së shëndoshë. Mos bjer në rrugën e prishjes, të pengimit, të destabilizimit. Evitoji pengesat, jep mund në atë që është e mirë; bëhu pjesëmarrës në evitimin e ngatërresave dhe bëhu faktor i konstruktivitetit,  sepse kjo të bën krenar, inspirues, kreativ, të lumtur, faqebardhë dhe të afërt me Zotin.

Kështu të do Zoti i madhërishëm.

(Autori është Kryetar/Reis’ul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të RMV;19/23.05.2023)

Related posts

Ishte nominuar dikur për çmimin Nobel, fakte nga jeta e diktatorit të tmerrshëm Adolf Hitler

Gazetamax.mk

Deputeti bullgarë kërkon reliktet e Car Samuelit që Bullgaria të heq veton

Gazetamax.mk

Nis zbatimi i projektit që u la në hije për 30 vite

Gazetamax.mk