GazetaMax
Lajme

Më 19 maj 2023, në orën 12:00, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, përurohet libri i Asllan Selimit, “Tmerri ka emër”

Dibran Fylli: DITAR ME PLOT DËSHMI E FAKTE

Asllan Selimi “Tmerri ka emër” (Kujtime lufte, burgu e qëndrese), një libër dëshmi e krimeve ushtarako policore serbe për shfarosjen e popullit shqiptarë të Kosovës.

Nëse Dante Aligeri na solli Ferrin e fantazuar me të gjitha labirintet e tij deri të rrethi i 12-të i perëndisë, në ditët tona doli një Dante i Ri, e ai është i burgosuri politik, aktivisti, atdhetari e shkrimtari Asllan Selimi. Ky autor, në librin e tij me titull: “Tmerri ka emër” (Kujtime lufte, burgu e qëndrese) na ka sjellë ferrin e vërtetë njerëzor, jo si dënësje e perëndisë për të këqijat dhe mëkatet e botës njerëzore, por ferrin e shtetarëve dhe udhëheqësve serb, të strukturave policore e ushtarake serbe që ushtruan dhunë mbi popullin shqiptarë, mbi të burgosurit e mbi çdo gjeje që ishte shqiptare! Në këtë libër, nga faqja në faqe njihesh me skena të llahtarshme, jo të sajuara si të Dante Aligerit, por reale, ku personazhet që paraqiten në role janë të burgosurit politik të regjimit fashist serb, të cilët ishin të vënë në kalvarin e vuajtjeve e të torturave, të keqtrajtimeve e masakrave më çnjerëzore të shekullit të kaluar.

Kur lexon faqet e këtij libri ditar me plot dëshmi e fakte, nuk ka mendje që nuk ndien dhimbje, nuk ka sy që nuk loton, nuk ka trup që nuk rrëqethet, nuk ka qenie që nuk revoltohet, nuk ka njeri që nuk reagon dhe nuk besoj se do të ketë qenie njerëzore që të mos e gjykoj e dënoi krimin e bërë nga urdhërdhënësit serb e deri të ekzekutorët e çnjerëzorizuar nga dëshira për ta zhdukur një popull të tërë e për ta fshire nga hartat gjeografike.

Duke lexuar librin, lexuesi njihet në botën e krimit dhe nuk është më njeri, por duket si një profet që vëzhgon çfarë ndodh në atë labirint krimesh dhe i raporton zotit të tij. Lexuesi xhiron me kamerën e ndjesive, përjetimeve, fantazive dhe riprodhimeve të realiteteve monstruoze që Asllan Selimi, falë aftësive të tij psikologjike, por edhe atyre artistike i sjell mjeshtërisht në memorien tonë.

Pikërisht libri i Asllan Selimit është sinteza më e mirë e dëshmisë së krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb. Ky libër është edhe një apel i hapur për drejtësinë ndërkombëtare dhe për

Kombet e Bashkuara për të nxjerrë mësimet e duhura, e për t’i vënë para përgjegjësisë çdo shtetar e shtet që kryen krime e gjenocid, për të prerë e parandaluar një herë e mirë duart çnjerëzore e gjakatare të masakrimit, terrorizimit e shfarosjes së njerëzve të pafajshëm.

Në këtë libër janë trajtuar me realizëm tema psikologjike. Në këtë sprovë prej shumë faqesh, Asllani jo vetëm së paraqitet si njohës i thellë i psikologjisë, por paraqitet i veçantë edhe si prozator. Është veçori dalluese e këtij autori pasqyrimi i proceseve e gjendjeve psikologjike të personazheve në librin e tij.

Ai ka arritur të zbulojë pseudonimet e keqbërësve, ndërtimin, funksionimin, përbërjen, drejtuesit e tyre, aksionet e shumëçka që kishin të bënin me shfarosjen e të burgosurve.

Autori nëpërmjet shënimeve të paraqitura në këtë libër ditar, e jep të qartë tablonë e krimeve, por edhe të strukturave e autorëve të tyre. Ai ka mundur të japë një tablo të qartë për atë çka ka ndodhur me të burgosurit shqiptarë para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-së.

Dibran Fylli, regjisor, aktor

Related posts

Zelenski dekoron kryeparlamentarin Xhaferi

Gazetamax.mk

SHBA: Mbrojmë Ballkanin nga Rusia, Prishtina ka ngritur alarmin për rritjen e kërcënimit

Gazetamax.mk

Pak në Shutkë, pak në Strugë e pak në shtëpi, Orce Kamçev e përfundoi dënimin me burg

Gazetamax.mk