Zhvillimet e fundit lidhur me djegien e flamurit shqiptar dhe atij shtetëror në Maqedoninë e Veriut, dhe ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës, sipas zv.kryeministrit të parë në RMV, Izet Mexhiti, janë tendencë për destabilizimin e rajonit.
“Ka tedenca në rajon për të destabilizuar situatën. E njejta ndodhë në Mitrovicë me ujësjellësin, me aktin terrorist dhe poashtu edhe këtu ka forca që duan ta destabilizojnë. Ishte evidente që festat e Nëntorit u shënuan si asnjëherë më parë, duke filluar me mbledhjen solemne të Qeverisë dhe duke përfunduar me manifestimin qendror në Sheshin “Skenderbeu”. Koncert festiv ku u përfshinë shkollat, çerdhet, gjitha institucionet dhe thjeshtë nuk mund ta dalloja Shkupin me Tiranën gjatë festimeve dhe kjo dikujt i ka penguar, ka manipuluar me të rinj, te cilët me instruksione kanë dashur ta njëllosin festën. Si zv.kryeministër i parë i Qeverisë, ftoj popullatën për qetësi, për ta tejkaluar këtë situatë dhe me shumë përgjegjësi them se çdo kush që e ka shkelur ligji, nenin 393, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, tha mes tjerash, Mexhiti.
Ai shtoi më tej se asnjëri nuk do të merret në pyetje apo të përgjigjet për festimin apo ngritjen e flamurit kombëtar apo flamujve tjerë, por do të kenë përgjegjësi gjithë ata që kanë shkelur qoftë flamurin shtetëror qoftë flamurin kombëtar dhe kjo më nuk hyn në konceptin e lirisë por e cenon e lirinë e tjetrit. “Ashtu siç është vepruar ndaj atyre që e kanë shkelur flamurin shtetëror, njejt në Prilep veprohet edhe me ata që e kanë shkelur flamurin kombëtar shqiptar”, tha Mexhiti.