GazetaMax
Ballina

Miloshoski: Partneriteti strategjik me SHBA do vazhdojë, presim projekte të përbashkëta në energjetikë, ekonomi, mbrojtje dhe sundim të ligjit

Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Antonio Miloshoski, ndodhet në Uashington për Lutjet e mëngjesit me kongresmenë të shumtë, senatorë, shtetarë botërorë, politikëbërës dhe ekspertë.

Për Zërin e Amerikës, ai diskutoi për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe partnerit të saj strategjik SHBA-në, si dhe për pritjet e qeverisë në Shkup nga administrata e re e presidentit Trump.

Ju jeni duke marrë pjesë në Lutjet e mëngjesit në Uashington. Trajtuat debatin në Kongresin Amerikan mbi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik të sigurisë në Europë, i cili u organizua nga kongresmenët Pete Sessions dhe Bob Aderholt. Çfarë mesazhi morët nga ligjvënësit?

Mesazhi nga Uashingtoni është se partneriteti strategjik do të vazhdojë. Mendoj se kanë disa pika kritike. Në Evropë, ata do të jenë më të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën, dhe globalisht pres që të ketë një rivalitet më të theksuar me Kinën. Këtu Maqedonia duhet të ketë një përkushtim të qartë në përputhje me partneritetin strategjik dhe besoj se mund të kontribuojmë në marrëdhëniet e ardhshme me administratën e re.

Përpara fitores së Donald Trump, përfaqësues të lartë të Qeverisë dhe Parlamentit nga partia në pushtet VMRO-DPMNE investuan shumë kohë në takime me njerëz nga rrethi i Trump. Çfarë prisni në këmbim nga administrata e re e Presidentit Trump?

Presim që këto kontakte relativisht të “personalizuara” nga administrata e re të japin fryte, të cilat do të ishin më shumë projekte me interes të përbashkët në fushën e energjisë, ekonomisë, mbrojtjes dhe sigurisë dhe shtetit të së drejtës. Pres një marrëdhënie të mirë me Sekretarin e Tregtisë. Maqedonia mund të gjejë vendin e saj dhe të tërheqë investime të huaja nga Shtetet e Bashkuara.

Bashkëpunimi me administratën e re në Uashington a do të ketë edhe dimension politik ndaj integrimit të bllokuar të Maqedonisë në BE? A po kërkoni një përfshirje më të madhe nga Uashingtoni sesa në takimet e mëparshme?

Kjo tashmë është komunikuar gjatë takimeve të mëparshme me kryeministrin Hristijan Mickoski. Ne presim që Uashingtoni të tregojë vullnet dhe interes më të madh për zgjerimin e BE-së. Mund të presim angazhim shtesë, por varet edhe nga kush do të jetë Ndihmës Sekretari i ardhshëm i Shtetit për Evropën.

Po sikur nisma për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar të mos kalojë në Kuvend, në këtë përbërje ku jeni ju nënkryetar?

Besoj se kjo nismë është racionale, si për Maqedoninë, edhe për Bullgarinë, edhe për BE-në, por është realiste nëse dëshira e vërtetë e të tre aktorëve është integrimi. Synimi ynë është integrimi në BE, tani mbetet të shihet se cili është synimi i BE-së dhe Bullgarisë. Menaxhimi i një kompromisi të tillë dhe angazhimi i ndërmarrë do të ishte naiv që të bëhej pa siguri se vendi do të arrijë qëllimin e dëshiruar, që është BE-ja, për të cilën Maqedonia tashmë ka bërë shumë kompromise në të kaluarën.

Maqedonia tash e 8 muaj ka qeveri të re dhe përbërje të re parlamentare. Si po i trajton Maqedonia pikat kyçe që vëren BE-ja – sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zbatimi i shpejtë i reformave, por edhe mosndëshkimi në sistem?

Nga sa mund të marr si informacion në Uashington, informacioni fillestar është se qeveria ka një program të mirë, që është premtues. Këto janë vlerësimet fillestare të Uashingtonit zyrtar. Besoj se kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Dëshira jonë është që në raportin e ardhshëm të Transparency International, por edhe të Departamentit të Shtetit, Maqedonia të ketë përparim të dukshëm.

A është bllokimi i mundshëm i procesit të BE-së një kërcënim për stabilitetin e shumicës në pushtet?

Shumica qeverisëse është e qëndrueshme. Kemi folur me partnerët tanë si nga koalicioni Vlen ashtu edhe nga ZNAM dhe sqarojmë me argumente se bllokada nga Bullgaria dhe tejkalimi i saj është në interesin e të gjithëve, por duhet bërë në një mënyrë që do të jetë e sigurt për të gjithë qytetarët dhe do të sjellë një rezultat real për integrimin evropian, në vend që të sjellë një zhgënjim të dytë apo të tretë me bllokada shtesë.

Related posts

Sot shënohet Dita e Bibliotekës “Ernest Koliqi”, që gjendet në Katedralen Shën Nën Tereza në Prishtinë, me rastin e 120-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar. Organizimi mbahet në Qendrën “BogdaniPolis”, në orën 12. Ernest Koliqi ka qenë poet, eseist, dramaturg, romancier, përkthyes, gazetar dhe kontribuues i madh i arsimit shqip në Kosovë. Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903 dhe vdiq në Romë më 15 janar 1975. Bashkë me Mitrush Kutelin konsiderohet si themelues i tregimit modern shqiptar, me përmbledhjet “Hija e Maleve”, Tregtar Flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit”. Më 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Koliqi u emërua ministër i Arsimit. Koliqi e drejtoi Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Romë, mbi bazën e së cilës në vitin 1057 u ngrit Instituti i Studimeve Shqiptare.

Gazetamax.mk

Vitamina K duhet për zemrën e eshtrat, 6 shenjat që tregojnë mungesën

Gazetamax.mk

Zbulohet ana e errët e Feros, reperi në borxhe të mëdha

Gazetamax.mk