Shkup, 26 prill- Merita për të gjitha sukseset dhe arritjet e universitetit më të ri, por edhe më të shpejtë shtetëror “Nënë Tereza” i takon të gjithë stafit që punon këtu që nga viti 2016, të udhëhequr nga rektori i parë dhe aktual, Prof. Dr. Aziz Polozhani, i cili në fakt tregoi dhe dëshmoi se si duhet udhëhequr dhe drejtuar një universitet në drejtimin e duhur. Në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e falënderoj për gjithë punën e deritanishme dhe e përgëzoj për të gjitha rezultatet e arritura. Rektorit të ri, Prof. Dr. Izet Zeqirit i uroj që të vazhdojë historinë e suksesit dhe ta udhëheq këtë institucion të arsimit të lartë drejt arritjeve të reja.
Kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në ceremoninë e sotme me rastin e pranim-dorëzimit të funksionit së rektorit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
“Besoj se Prof. Dr. Pollozhani do të vazhdojë të jetë plotësisht i disponueshëm për të gjithë stafin këtu, për këshilla dhe rekomandime dhe sigurisht do të jetë shembull i përkushtimit dhe sakrificës në kryerjen e funksionit të Rektorit. Nga ana tjetër, di se rektori i ri, Prof. Dr. Zeqiri e njeh mirë gjendjen në këtë institucion të arsimit të lartë dhe në përgjithësi arsimin e lartë në vend, kështu që kam besim në menaxhim cilësor dhe një të ardhme të mirë në këtë universitet”, tha Shaqiri.
Ministri theksoi se me hapjen e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në vitin 2016, u realizua një tjetër ide e madhe në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin dhe zgjerimin e mundësive për edukimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të popullatës shqiptare në vend dhe në rajon. sepse ky universitet po bëhet gjithnjë e më shumë një zgjedhje për studentët nga vendet fqinje.
Universiteti Nënë Tereza jep një kontribut të madh në realizimin dhe promovimin e arsimit të lartë dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore. Tashmë po krijon gjenerata akademike që janë dëshmuar se janë të përgatitur mirë dhe të integruar me sukses në funksionimin e sistemeve shoqërore,por janë edhe udhëheqës të ndryshimit për të mirë, tha Shaqiri, duke shtuar se MASH-i mbetet i hapur për bashkëpunim dhe universiteti do të ketë gjithmonë mbështetjen që do t’i duhet./Zhurnal.mk