Shkup, 30 dhjetor 2022
Kolumnë: Fatmir Besimi, ministër i financave
Kolumnën e fundit për këtë viti, siç edhe pritej, ia dedikoj vitit 2022 dhe sfidave ekonomike me të cilat jemi përballur, por edhe pritshmërive për vitin 2023, ku të gjithë hyjmë me shpresë dhe optimizëm për ditë më të mira dhe prosperitet. Tre vitet e fundit i dëshmuan botës dhe të gjithë neve, se shumë gjëra i morëm si të mirëqena, si për shembull: lëvizjen e lirë, energjinë e lirë dhe ushqimin. Kjo periudhë e historisë së re është leksion i mirë për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. Pandemia na tregoi se sa e brishtë është natyra e disa sektorëve ekonomikë dhe sa e rëndësishme është që biznesi të mësojë të ristrukturohet dhe të mbijetojë. Kriza energjetike na tregoi se sa e rëndësishme është pavarësia energjetike, investimi në kapacitetet e prodhimit, orientimi drejt energjisë së ripërtëritshme, por edhe efikasiteti energjetik dhe shfrytëzimi racional i burimeve që kemi në dispozicion. Inflacioni global na tregoi se sa e rëndësishme është zhvillimi i prodhimit tonë, veçanërisht i produkteve ushqimore bazë dhe investimeve në bujqësi të qëndrueshme. Në pah dolën edhe prioritetet strategjike, si siguria shëndetësore, ushqimore, energjetike, ndërsa paqja mbetet si thelbësore në zhvillimin e civilizimit, që nuk duhet merret si e mirëqenë, por duhet të ruhet në vijimësi. Leksionet e nxjerra janë gjithmonë pjesë e zgjidhjes së problemit, sepse hapi i parë është ta piketosh atë dhe i dyti të veprosh.
Sfida më e madhe për ekonominë globale është pasiguria
Në vitin 2022, faktorët joekonomikë vazhduan ta diktojnë ekonominë globale, duke filluar nga ngecjet në zinxhirët e furnizimit – si pasojë e pandemisë, deri te lufta në Ukrainë dhe përkeqësimi i kushteve në tregun energjetik. Të gjithë këta faktorë kontribuan që këtë vit rritja globale të ngadalësohet, ndërkohë që inflacioni të arrijë nivelet më të larta në dekadat e fundit. Ndoshta sfida më e madhe e gjithë kësaj krize është pasiguria. Pikërisht, kjo pasiguri është ndoshta ajo që i shqetëson më shumë investitorët dhe amvisëritë në vendimmarrje dhe sigurisht që është pengesë për institucionet financiare ndërkombëtare në llogaritjen e projeksioneve më të sakta.
Pritshmëritë për ekonominë globale për vitin 2022 ishin që rritja do të ngadalësohej ndjeshëm krahasuar me vitin 2021. Fondi Monetar Ndërkombëtar projektoi që rritja të ngadalësohej nga 6% në vitin 2021 në 3.2% në vitin 2022. Sfidat pritet që të vazhdojnë edhe në vitin 2023, me rritje globale prej 2.7%. Këto janë pritshmëritë më të ulëta që nga viti 2001, me përjashtim të vitit të pandemisë 2020. Këto projeksione pasqyrojnë ngadalësimin e ekonomisë së SHBA-së në gjysmën e parë të vitit, ndërsa sa i përket ekonomisë së BE-së në gjysmën e dytë të vitit, si dhe valët e reja të Covid-19 në Kinë. Rreth një e treta e ekonomive botërore shënuan rezultate negative ekonomike në dy tremujorë radhazi, ndërkohë që inflacioni global u përshpejtua ndjeshëm dhe pritet të dyfishohet në vitin 2022, gjegjësisht të arrijë në 8.8%.
BE-ja pret ribalancim të tregut energjetik
Kur bëhet fjalë për partnerin tonë më të madh tregtar, Bashkimin Evropian, sipas projeksioneve të fundit të muajit dhjetor të Bankës Qendrore Evropiane për Eurozonën, pritshmëritë e PBB-së janë duke u përmirësuar, por sa i përket inflacionit ato janë më pesimiste. Pritshmëritë më të mira për PBB-në janë si rezultat i arritjeve gjatë muajve të verës, të cilat shënojnë rezultate të larta në sektorët e shërbimeve. Megjithatë, kriza energjetike, inflacioni i lartë, rritja e pasigurisë dhe ngadalësimi i ekonomisë globale, si dhe shtrëngimi i kushteve të tregut financiar, ndikuan në ngadalësimin e theksuar të aktivitetit ekonomik në tremujorin e tretë të vitit 2022. Besimi i konsumatorëve dhe investitorëve po ulet, ndërkohë që lëvizjet e çmimeve vazhdojnë t’i zvogëlojnë të ardhurat dhe konsumin.
Megjithatë, pritshmëritë për vitet e ardhshme është se do të ketë ribalancim të tregut energjetik, përkatësisht riorientim të burimeve të reja të energjisë. Pavarësia gradualisht do të ulet, ndërsa të hyrat reale do të rriten, ngecjet në zinxhirët globalë të furnizimit do të kapërcehen, kërkesa do të rritet, duke kontribuar kështu në rimëkëmbjen e plotë të pritshme të ekonomisë. Tregu i punës pritet që të mbetet rezistent gjatë gjithë periudhës. Parashikimet janë se PBB-ja në vitin 2022 do të jetë në nivel prej 2.4% dhe se do të ngadalësohet në vitin 2023 për rreth 0.5%, krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në vitin 2024 dhe 2025 do të përshpejtohet dhe do të jetë në nivel prej 2%. Krahasuar me projeksionet e muajit shtator të BQE-së, këto janë projeksione më optimiste. Sa i përket projeksioneve të inflacionit, ai pritet që të ulet nga 8.4% në 6.3% në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 do të ulet në nivel prej 2.3%.
Si ekonomi e vogël, nuk ishim imunë
Ekonomia jonë nuk ishte imune sa i përket ngjarjeve botërore. Si ekonomi e vogël dhe e hapur, para se të gjithash, e lidhur me ngjarjet dhe zhvillimet në BE, absorbuam lehtë efektet nga ngjarjet e ekonomive dhe tregjeve të tyre. Edhe pse fillimi i vitit filloi relativisht mirë, me rritje prej 3.2% në tremujorin e parë, ngadalësimi i rritjes u bë i dukshëm në tremujorin e tretë, me rritje prej 2%. Si përfundim, rezultati ekonomik i deritanishëm i ekonomisë sonë për këtë vit është 2.7%. Sa i përket sektorëve, ky rezultat vjen si rrjedhojë e zhvillimeve pozitive në sektorin e shërbimeve dhe bujqësisë. Pas përfundimit të pandemisë, rritje të fuqishme kishte sektori i tregtisë, hotelerisë dhe transportit. Sa i përket shpenzimeve, ka rritje të konsumit, si dhe investimeve bruto.
Pritshmëritë e Ministrisë së Financave për vitin 2022 ishin që rritja do të jetë 2.7%, ndërsa deri në vitin ardhshëm do të përshpejtohet në 2.9%, ndërsa në mesataren e periudhës 2023-2027, në përputhje me skenarin bazë, pritet rritje prej 4.6%. Në periudhën afatmesme, duke realizuar Planin për rritje ekonomike dhe Planin për investime publike, presim t’i arrijmë normat e dëshiruara për rritje të përshpejtuar ekonomike. Inflacioni, vitin e ardhshëm do të ngadalësohet, siç pritet nga të gjitha institucionet relevante financiare ndërkombëtare dhe vendase, sipas projeksioneve për stabilizimin e çmimeve të produkteve primare, ndërsa në periudhën afatmesme pritet rikthimi në normat paraprake prej rreth 2%.
Sistem që do të ofrojë rezultate më të mira ekonomike
Nëse do duhej ta përmblidhja në disa rreshta shpjegimin lidhur me funksionimin e politikës fiskale këtë vit, do të theksoja se ajo ishte e orientuar drejt përkrahjes së qytetarëve dhe ekonomisë, por edhe ruajtjes së nivelit të stabilitetit makroekonomik. Miratuam pako antikrizë prej 750 milionë eurove për përkrahejn e qytetarëve dhe ekonomisë për vitin 2022. Njëkohësisht, vijojmë me përcaktimin për konsolidim gradual fiskal. Po ashtu, vijojmë të përkushtuar në krijimin e sistemit të financave SMART, sistem që do të sigurojë në periudhë afatmesme dhe afatgjate norma më të larta të rritjes ekonomike. Janë zbatuar reforma të rëndësishme në financat publike, të cilat janë mirëpritur në të gjitha raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, ndërsa veprojmë edhe në drejtim të qëndrueshmërisë së financave publike, përkatësisht në hedhjen e themeleve për praktikat e mirëfillta që do të jenë si udhëzim dhe pikë referimi për një periudhë më të gjatë kohore.
Të ardhmen do ta jetojmë nesër dhe çdo vit i ri është një fillim i ri. Duke përmledhur dhe vlerësuar aktivitetet e ekipit të Ministrisë së Financave, si një aktivitet i rregullt, shoh se rruga që kemi bërë është e gjatë, por kemi edhe shumë për të bërë. Unë besoj te ne, qytetarët dhe ekonomia. Besoj në krijimin e një sistemi më të mirë, sistem i cili do të ofrojë kushte më të mira jetese. Besoj në investimin te qytetarët tanë, te të rinjtë dhe kapacietet e tyre, si dhe te rritja e produktivitetit dhe me këtë edhe konkurrencën e ekonomisë sonë. Besoj, se kështu do të jemi në gjendje që të ecim krahë për krahë me shumë ekonomi të tjera që tani vlerësohen si më të zhvilluara. Ajo që na nevojitet është konsekuenca dhe organizimi, që të bëhemi më konkurrent dhe të ofrojmë më shumë. Besojmë se do të ecim me sukses drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe hapjes së prespektivave për standard më të mirë dhe cilësi më të mirë jetese për qytetarët tanë.
Në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që këtë vit punuan me vendosmëri, duke besuar në sistem më të mirë, kushte më të mira dhe jetesë më të mirë për të gjithë ne. Gara para përfundimit mund të jetë edhe më e vështirë, por atëherë shihen fituesit.