GazetaMax
Lajme

Ministrja Gërvalla i kërkon NATO-s ta mbrojë edhe Kosovën si Bosnjën: Mos u vononi si në Ukrainë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një intervistë për gazetën austriake “Wiener Zeitung” të enjten, ka thënë se Kosovës i duhet mbrojtja e NATO-s, siç i duhet edhe Bosnjë-Hercegovinës.
Ajo ka shtuar se pjesë e planit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është që ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor nëpërmjet Serbisë.
Gjithashtu, Gërvalla ka bërë thirrje që Perëndimi “të mos reagojë me vonesë si në rastin e Ukrainë”.
“Në shtetet e ish-Jugosllavisë ka pasur një sondazh, sipas të cilës mbështetje për BE-në në Serbi ishte nën 50 për qind. Në Kosovë, nga ana tjetër, e ka kaluar 90 përqindëshin. Ngjashëm ishte mbështetja edhe për NATO-n. Kjo do të thotë, se vullneti për t’u bashkuar është i madh. Na duhet mbrojtja e NATO-s. Për Kosovën do të ishte e rëndësishme, por edhe për Bosnjë-Hercegovinën. Ne nuk e dimë, se si do të reagojë një person si Vladimir Putini, kur nuk sheh përparim në Ukrainë. A do ta destabilizojë Ballkanin? Nëse po, si? Një pjesë e planit të Putinit është ta përdorë Serbinë për ta destabilizuar rajonin, ai do të vazhdojë me këtë, pavarësisht nëse i afrohemi NATO-s apo jo. Ukraina na ka treguar, se pavarësisht nga reagimi i Perëndimit, Putini do të vazhdojë me planet e tij. Tani mund të dëgjojmë nga shtetet e BE-së fjalët: Nëse do ta merrnim Ukrainën seriozisht, do të kishim reaguar më herët…Edhe zërat nga Evropa Juglindore, që bënin thirrje për më shumë vëmendje ndaj rajonit, nuk u dëgjuan për një kohë të gjatë”, tha Gërvalla.
“Si ministre e Jashtme unë vetëm mund të insistoj, që të merret mesazhi. Unë nuk mund t’i detyrojë shtetet mike të bëjnë ndonjë gjë, por detyra jonë është ta shpjegojmë situatën në Ballkan dhe të theksojmë se nuk është vonë dhe se ka ende mundësi – si shembull duke njohur Kosovën dhe duke e anëtarësuar atë në NATO”.
Gërvalla ka thënë se duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në Evropë të krijuar pas pushtimit rus të Ukrainës, është koha që Kosova të njihet nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së e po ashtu t’i afrohet NATO-s e të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Ne jemi specifikë në kërkesat tona. Duke pasur parasysh situatën e re gjeopolitike në Evropë, Kosova duhet të njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur deri më tash. Kosova duhet t’i afrohet NATO-s dhe më në fund të bëhet anëtare edhe në Këshillin e Evropës. Pikërisht për këtë arsye na duhet përkrahje. Kur pesë shtetet e BE-së, Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro e njohin Kosovën, atëherë do të dërgohet sinjali se kufijtë e Ballkanit janë gjë e qartë që asnjë nuk mund t’i lëkundë më. Do të ishte një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Gërvalla.
Sa i përket Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se presidenti serb është ulur në dy karrige.
“Për vite me radhë, Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, është përpjekur të ulet në dy karrige: të marrë paratë e BE-së dhe t’i përdorë ato për të blerë armë ruse. Kjo duhet ta shqetësojë jo vetëm rajonin, por gjithë Evropën. Përveç Bjellorusisë, që e mbështet Rusinë, vetëm një shtet në Evropë, nuk është rreshtuar qartë përkrah BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Rusisë: Serbia. Ajo do të duhet ta paguajë një çmim. Edhe ne po e paguajmë çmimin për solidaritetin tonë me Ukrainë. Në ndërkohë po luftojnë të gjitha me efektet e sanksioneve kundër Rusisë. Në Kosovë, si shembull, jo vetëm që është shtrenjtuar nafta, por edhe vaji i gatimit. Por, Vuçiqi nuk mundet dhe nuk dëshiron të distancohet nga Rusia. Gjatë viteve, është krijuar ideologjia se vetëm Rusia e kupton vërtetë Serbinë. Nuk është vetëm Kisha Ortodokse që ka nxitur këto ndjenja, por edhe politika. Kjo nuk është më nacionaliste, por etnonacionaliste”, tha Gërvalla.
“Kosova ka interes që Serbia të bëhet demokratike. Ne duam fqinj demokratik. Ne nuk duam ta kemi Rusinë në kufirin tonë. Për këtë arsye duhet shpjeguar edhe Serbisë se perspektiva e saj qëndron në BE e jo në Rusi. Por, mënyra se si ka vepruar deri më tash BE-ja, politika e zbutjes nuk funksionon me Vuçiqin dhe po ashtu jo me presidentin Vladimir Putin. Mungon gjuha e qartë”.
Sa i përket faktit se Kosova ende nuk e ka liberalizimin e vizave, Gërvalla, ka thënë se Kosova i ka plotësuar gjitha kriteret dhe se është çështje e Bashkimit Evropian që ta realizojë premtimin.
“Do të preferonim të mos flisnim fare për liberalizimin e vizave, pasi kemi plotësuar çdo kusht. BE-ja ka premtuar dhe është një çështje e besueshmërisë së saj, që ta realizojë këtë. Çdo ditë që kalon pa viza, është një në të cilën Bashkimi Evropian tregohet i paaftë për të vepruar dhe nuk tregohet i besueshëm”.

Related posts

Paqartësi për dhënien e shtetësisë për Onyshenko, Selmani: Qeveria duhet të veprojë shpejtë

Gazetamax.mk

Për ta shmangur stagflacionin, duhet të injektohen para në ekonomi pavarësisht deficitit

Gazetamax.mk

Ofendime ndaj himnit bullgar, Borisov: Nuk kuptoni vlerat europiane

Gazetamax.mk