Murali i Nënë Terezës vendoset në një ndërtesë tjetër në Prishtinë pas ndalimit të punimeve

Komuna e Prishtinës e ka vendosur muralin kushtuar Nënë Terezës në fasadën e një ndërtese tjetër në sheshin e kryeqytetit, përballë Hotel “Grand”, pasi Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i ndaloi punimet në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë. Lokacioni i ri është një ndërtesë në pronësi të kryeqytetit, në afërsi të shtatores së Zahir Pajazitit.

Sipas Gazetës Express, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunë, Leotrim Retkoceri, ka konfirmuar se murali do të vendoset sot. Murali (mozaiku) ishte paraparë të përurohej këtë të shtunë, në Ditën e Flamurit Kombëtar.

Më herët gjatë ditës, komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, i kishte njoftuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se Prokurori i Shtetit ka vendosur që punimet të mos lejohen deri në një vendim të gjykatës, për shkak të kontestit mes Komunës dhe Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Rama e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se hapësirat publike dhe fasadat janë në kompetencë të kryeqytetit dhe se Komuna ka vendim të Asamblesë për vendosjen e muralit. Ai kishte deklaruar më herët se punimet do të vazhdonin edhe nëse do të kishte arrestime.

Image

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pas njoftimit zyrtar, Rama bëri të ditur se Komuna nuk do të ndërhyjë për të vijuar punimet në lokacionin e parë, duke marrë parasysh se sot është festë kombëtare.

Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar dje se e ka thirrur Policinë, pasi, sipas saj, Komuna ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në objektin e saj. Komuna thotë se ka bazë ligjore për projektin: Kuvendi Komunal, më 6 nëntor, miratoi vendimin për subvencionimin e projektit kulturor “Nënë Tereza”, që parashikon vendosjen e muralit në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Burimi: botasot.info