GazetaMax
Lajme

Në shkollat e Tetovës angazhohen 36 asistentë

Tetovë, 14 shtator – Në shkollat fillore që janë në territorin e Komunës së Tetovës deri më tash janë angazhuar 36 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta që ndryshe njihen edhe si logoped. Ky numër është i mjaftueshëm, thonë nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës. “Ka disa shkolla të Malësisë, tek të cilat ende nuk ka të angazhuar asistentë, mirëpo presim rregullimin e dokumentacionit pasi prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta, patjetër do të duhet të marrin një raport mjekësor e që më pas – në bazë të atij dokumentacioni, të drejtohen dhe të përfitojnë asistent personal për fëmijën. Në bazë të këtyre asistentëve të angazhuar dhe në bazë të informacioneve që kemi nga drejtoritë e shkollave, këta asistentë të angazhuar janë të mjaftueshëm që të përkujdesen për ata fëmijë qe janë me nevoja të posaçme në kuadër të komunës sonë. Besoj që ka kuadër, pasi kjo edhe na u konfirmua nga ana e drejtorive të shkollave me komunikimin që kemi me ta dhe të gjithë ata fëmijë që kanë nevojë për asistentë personal – atë e kanë veçse të angazhuar në kuadër të shkollës të cilës i takon nxënësi”, tha Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Deri tek angazhimi i asistentëve ka ardhur pasi me regjistrimin e nxënësve me nevoja të veçanta nëpër shkollat e rregullta arsimore dhe me kategorizimin e tyre nga profesionistët e fushave, ata gjithashtu sugjerojnë edhe asistentë që i njëjti nxënës procesin ta ndjek me asistent në shkollë të rregullt. Logopedët thonë se secila shkollë dërgon kërkesën deri te shkolla speciale ose deri te Ministria e Arsimit për një asistent për të cilin ka nevojë ky nxënës. Interesimi për të qenë asistent është i madh, shprehen logopedët.

“Duke e ditur që është shpallur konkurs për 720 asistentë arsimor nëpër shkollat fillore, padyshim që kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm, ku kanë qenë të gjithë që i kanë plotësuar kriteret. Me sa kam njohuri, ata që kanë qenë në intervista, shumica e tyre veçse kanë filluar tani nëpër shkolla. Tani numri është rritur dhe shkollat bëjnë kërkesa në bazë të nxënësve me nevoja të veçanta që kanë. Numri i asistentëve duhet të korrespondojë me numrin e këtyre nxënësve dhe kisha sugjeruar që numri i asistentëve të rritet. Duhet të plotësohen disa kushte për të qenë asistent, të kenë të kryer 240 kredi në psikologji ose edukim special, po ashtu pedagogji, shkenca sociale… Për sa i përket numrit të kuadrove, për fat të keq jemi në një numër të ulët dhe do të donim që ky numër të rritet në favor të nxënësve me nevoja të veçanta dhe pa dyshim do kishim arritur një sukses më të madh në shoqëri veçanërisht në pjesën e arsimit të nxënësve me nevoja të veçanta”, thotë Ajshe Beqiri, logopede.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftojnë se gjatë këtij viti shkollor 2022/2023, në shkollat ​​fillore do të punësohen 720 asistentë, që është 220 më shumë se vitin e kaluar shkollor. Nga atje kanë bërë të ditur se vendimi është marrë nga Qeveria, duke marrë parasysh nevojat e shprehura të prindërve të nxënësve me aftësi të kufizuara.

Related posts

Dita e Evropës solli në Ohër shkëlqimin e Ansamblit shqiptar të RMV

Gazetamax.mk

Rrëfehet Ilir Meta: Nuk ndihem i burgosur, por i izoluar për të dobësuar veprimin opozitar

Gazetamax.mk

“Viz er”, “Lufthanza” dhe “Ejxhian” me oferta në tenderin për subvencione për fluturime të reja

Gazetamax.mk