Një shqiptar nga Kosova është dënuar me pesë vite burg në Britani, pasi pretendoi të ishte babai i 13 foshnjave shqiptare për të siguruar pasaporta britanike të marra në mënyrë të paligjshme.
Petrit Musa, 38-vjeç, i cili kishte marrë leje të pacaktuar qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2021, u përfshi në një skemë mashtrimi të organizuar nga një grup kriminal, në këmbim të shumave të konsiderueshme parash, sipas dëshmisë në gjykatë.
Hetuesit zbuluan se Musa kishte arritur të siguronte gjashtë pasaporta për fëmijët para se mashtrimi të zbulohej nga Home Office, ndërsa të gjitha aplikimet e tjera u anuluan.
Ai u dënua në Gjykatën e Isleworth Crown Court, pasi pranoi fajësinë për ndihmën në imigracion të paligjshëm në Britani.
Musa, me profesion punëtor ndërtimi, ishte rekrutuar nga banda pasi kishte rënë në borxhe të mëdha për shkak të problemeve me kokainën, alkoolin dhe bixhozin. Për shkak se kishte status të përhershëm qëndrimi, fëmijët që ai deklaronte si të vetët kishin të drejtë për shtetësi britanike, një status që ai e përdori për të përfituar nga mashtrimi.
Foshnjat ishin fëmijë të nënave shqiptare që kishin hyrë ilegalisht në Britani, të cilat kishin paguar shuma të mëdha parash bandës për t’u pajisur me pasaportat. Musa arriti të shlyente një borxh prej mbi 40 mijë paundësh, por vazhdoi të fitonte para nga mashtrimi edhe më pas.
Në telefonin e tij u gjetën selfie ku mbante sasi të mëdha parash, si dhe disa depozita të mëdha në një bankë pranë qendrës tregtare Westfield.
Prokurori Oliver Pateman tha se skema kishte nisur në qershor 2022 dhe zgjati deri në tetor 2024, derisa autoritetet zbuluan se Musa kishte aplikuar për disa foshnja me data lindjeje shumë të afërta.
“Ishte një skemë mjaft e sofistikuar, me një model të qartë që përsëritej në të gjitha 13 rastet. Roli i Musës ishte thelbësor për suksesin e mashtrimit,” deklaroi prokurori.
Gjyqtari Recorder James Thomas pranoi se Musa nuk ishte organizatori kryesor, por theksoi se kishte përfituar shuma të konsiderueshme për çdo aplikim dhe se veprimtaria e tij kishte zgjatur për gati dy vite.

