Në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, të dielën ka nisur takimi i Komitetit Ministror të Grupit të Kontaktit për Gazën, i organizuar bashkërisht nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe Liga Arabe.
Pritet që në këtë takim të theksohet nevoja urgjente për zbatimin e fazave të ardhshme të armëpushimit në Gaza dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së tij afatgjatë.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, do të nënvizojë rëndësinë e vazhdimit të dërgesave të ndihmave humanitare për të lehtësuar krizën humanitare në rajon dhe do të diskutojë përpjekjet e përbashkëta për njohjen e Palestinës si një shtet i pavarur dhe sovran.
Plani i rindërtimit të Gazës, i cili fillimisht u miratua në samitin e Ligës Arabe, më pas u konfirmua në Takimin e Jashtëzakonshëm të Ministrave të Jashtëm të OBI-së më 7 mars, me mbështetjen e Türkiyes.
Në Samitin e Përbashkët të Jashtëzakonshëm të OBI-së dhe Ligës Arabe, të mbajtur më 11 nëntor 2023 në Riad, Türkiye, Palestina, Indonezia, Katari, Egjipti, Nigeria, Arabia Saudite dhe Jordania, së bashku me sekretarët e përgjithshëm të OBI-së dhe Ligës Arabe, u ngarkuan me detyrën e udhëheqjes së përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Gaza.
Që nga themelimi i tij, Komiteti Ministror i OBI-Ligës Arabe ka realizuar gjithsej 18 nisma diplomatike në qendrat kryesore botërore, duke përfshirë Londrën, Parisin, Nju Jorkun, Uashingtonin, Otavën, Brukselin, Oslon, Madridin dhe Amanin.
Që nga tetori 2023, forcat izraelite kanë vrarë gati 50.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa mbi 112.000 janë plagosur në sulmet brutale ndaj Gazës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër enklavës palestineze.