Shkup, 9 tetor – Presidenti Stevo Pendarovski sot në “Vilën Biljana” në Ohër ndau certifikatat për pjesëmarrësit e Shkollës politike pranë Qendrës presidenciale për edukim politik për vitin 2022.
Shkolla u realizua përmes pesë seminareve edukative në periudhën nga muaji mars deri në tetor 2022, me pjesëmarrjen e ligjëruesve dhe trajnuesve eminentë nga vendi dhe jashtë. Këtë vit participuan 35 pjesëmarrës nga mosha 21 deri në 35 vjeç të përzgjedhur me konkurs publik në bazë të interesit të tyre për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore, kualifikimet profesionale dhe arritjet profesionale.
Siç njoftuan nga Kabineti i presidentit, Pendarovski në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë që kjo gjeneratë e dytë konfirmon qëllimin themelor të Shkollës për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe solidare.
“Që nga gjenerata e parë vendosëm që pjesëmarrësit e Shkollës të zgjidhen përmes një procesi transparent dhe konkurrues, bazuar në arritje dhe merita personale, por edhe duke respektuar diversitetin e shoqërisë sonë. Në këtë mënyrë kemi mundësinë të zgjedhim kandidatët më cilësorë, por edhe t’u japim mundësi të rinjve të grupeve që për fat të keq, ende konsiderohen të margjinalizuar në shoqëri. Bashkëpunimi me ta na bën veçanërisht krenarë”, tha presidenti Pendarovski duke u dëshiruar pjesëmarrësve të jenë palë aktive në jetën tonë shoqërore.