GazetaMax
Lajme

Për ta shmangur stagflacionin, duhet të injektohen para në ekonomi pavarësisht deficitit

Dy vitet e kaluara kanë qenë sfidë për të gjitha ekonomitë në botë, si për vendet e zhvilluara ashtu edhe për ato në zhvillim. Ndërprerja e menjëhershme e një sërë aktiviteteve ekonomike rezultoi me rënie të ekonomisë globale prej -3.1% sipas të dhënave të FMN-së. Në shumicën e vendeve, si rezultat i reagimit të fuqishëm fiskal me anë të masave antikrizë, shoqëruar me uljen e arkëtimit të detyrimeve, rezultoi në rritjen e deficiteve fiskale dhe kështu në rritjen e borxhit publik të ekonomive. Në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, për shembull, borxhi publik është rritur nga 10 deri në 15 pikë përqindjeje. Këtu bëjmë pjesë edhe ne, me rreth 11 pikë përqindjeje të rritjes së borxhit pas pandemisë.

Ekonomia botërore u rikuperua shpejt nga goditja fillestare e pandemisë. Me imunizimin ekstensiv, ekonomitë filluan të hapen me shpejtësi. Bota shënoi rritje prej 6.1% të PBB-së vitin e kaluar. Megjithatë, pandemia la gjurmë përmes çregullimeve të zinxhirëve të furnizimit. Rajoni, Evropa, bota u gjendën përballë një sfide të re. Pas hapjes së ekonomive, kapacitetet prodhuese dhe shërbyese nuk arritën që t’a përmbushin kërkesën me shpejtësi të mjaftueshme nëpërmjet ofertës. Gjithashtu, disa ngjarje lokale dhe rajonale që ndërlidhen me arsye gjeopolitike dhe klimatike kontribuan në rritjen e lartë të çmimeve të energjensave dhe disa prej produkteve primare në bursat botërore në gjysmën e dytë të 2021. Presionet e çmimeve nga tregjet ndërkombëtare filluan të paraqiten në ekonomitë nacionale. Pas një periudhe të gjatë prej rreth një dekade, bota po përballet me norma më të larta të inflacionit.

Presionet e çmimeve u përforcuan me fillimin e luftës në Ukrainë. Rusia dhe Ukraina janë hallkë e rëndësishme në zinxhirët globalë të furnizimit. Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të energjensave në Evropë dhe në botë, ndërsa së bashku me Ukrainën janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave. Sipas kësaj, përmes zinxhirëve të furnizimit, efektet u përhapën me shpejtësi në ekonomitë nacionale. Përveç rritjes së çmimeve, pasojat e kësaj lufte priten edhe përmes tregtisë, rënies së konsumit dhe investimeve. Projeksionet e organizatave financiare ndërkombëtare për rritjen e ekonomisë botërore u zvogëluan për rreth një pikë përqindjeje, në rreth 3.5%, që është ngadalësim i dukshëm krahasuar me vitin e kaluar. Nga kjo vjen edhe shqetësimi i hartuesve të politikave për krizën e re që ka imponuar këtë situatë – ngadalësimi i rritjes dhe rritjes së inflacionit, resprektivisht kjo në ekonomi njihet si stagflacion.

Duke marrë parasysh se shumica e vendeve tashmë kanë rritur borxhin publik dhe kanë ngushtuar hapësirën e financimit, shtrohet pyetja se “a duhet qeveritë të vazhdojnë të shpenzojnë apo të kursejnë dhe ta kontrollojnë borxhin?” FMN-ja sipas raportit të saj të fundit “Fiscal monitor” thekson se edhe shumica e vendeve e kanë lënë pas vitin 2020 me borxhe më të larta, me ç’rast pushtetet fiskale ende duhet t’i destinojnë mjetet drejt masave të targetuara me qëllim të përkrahjes së kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë.

Në rrethanat kur çmimet rriten dhe kur në të njëjtën kohë bankat qendrore me rritje të normës bazë të interesit ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik, pushtetet fiskale janë të vetmet që mund të kontribuojnë në mbajtjen e ekonomisë në gjendje pozitive. Prandaj, deficitet më të larta të destinuara drejt masave dhe investimeve publike janë mënyrë reale për shmangien e stagflacionit.

Me propozim rishikimin e Buxhetit për vitin 2022, Ministria e Financave propozoi zgjerimin e deficitit buxhetor për 16 miliardë denarë, në 5.3% të PBB-së, ose një pikë përqindje më shumë se sa ishte projektuar, por me ngushtim të konsiderueshëm në krahasim me vitin 2020. Në Buxhet planifikohen mjete rezerve prej rreth 80 milionë euro për masat e reja antikrizë – bafer, mjete më të larta për pensione dhe përkrahje të kategorive të ndjeshme të qytetarëve, subvencione për kontribute për rritjen e pagës minimale, si dhe subvencione më të larta për bujqit për të stimuluar rendimentet dhe prodhimin vendor. Paraprakisht gjatë këtij viti u miratua pakoja prej 400 milionë euro për ballafaqimin me krizën e çmimeve, si dhe 86 milionë euro për ruajtjen e nivelit të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët rregullatorë. Pritshmëritë lidhur me borxhin publik për këtë vit sipas rishikimit janë që të arrijë në 63% të PBB-së.

Në kuadër të huamarrjes së brendshme prej 432.85 milionë euro, u parashikua huamarrje në tregun e brendshëm të letrave shtetërore me vlerë me pagesë të njëkohshme prej 82.93 milionë euro. Për huamarrje jashtë vendit është paralajmëruar tërheqje e mjeteve, përkatësisht eurobondit nga FMN-ja.

Në periudhë afatmesme, ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij theksoi se mbetet përkushtimi për konsolidim gradual fiskal, që do të arrihet përmes Planit për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar.

Por periudhë afatshkurtër, ekonomistët theksojnë se nevojiten të injektohen para në ekonomi, qoftë me masa apo investime publike. Me rishikimin e Buxhetit, shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 524 milionë euro ose rreth 6 miliardë denarë më pak se plani për vitin 2022. Krahas kësaj, nëse kemi realizime të tilla, këto do të ishin investimet kapitale historikisht më të larta.

Pavarësisht krizës, thonë analistët, duhen kërkuar mënyra për financim më të lirë, por paratë duhet të destinohen në përshpejtimin e ekonomisë për ta shmangur kombinimin më të keq ekonomik – stagflacionin.

Related posts

Arsovska do të mer kredi 10 milion euro për blerjen e 50 autobusëve

Gazetamax.mk

Çmimi i rrymës, ulje te blloktarifa 1 dhe 2

Gazetamax.mk

Trajanov: Parlamenti të debatojë për Ligjin për një njësi zgjedhore dhe monitorimin e proceseve gjyqësore

Gazetamax.mk