GazetaMax
Lajme

Përkeqësohet situata me gripin, mbi 200 kontrolle vetëm në Kozle

Shkup, 3 Janar – Spitali i fëmijëve “ Kozle” mbetët i vërshuar nga qindra fëmijë të sëmurë, qoftë me gripin sezonal ose virozat. Temperatura e lartë dhe kolli kishte lodhur fytyrat e fëmijëve të cilët për ditë të tëra nuk arrijnë ta marrin veten. Të shqetësuar janë edhe prindërit të cilët thonë se mbetën dyerve të spitaleve për të kërkuar ndihmë mjekësore.

“Vajza ankohet për temperaturë të lartë. Ka mbërritur deri në 41, momentalisht e ka 39. Erdhëm të kërkojmë ndihmë këtu, si çdo kund edhe këtu ka shumë njerëz, radhë e gjatë, po presim. Siç po dëgjojmë nga të tjerët të gjithë ankohen nga simptomat e njëjta, temperaturë e lartë. Kjo është dita e dytë e sëmurë, tentuam në kushte shtëpie të shërohet por vendosëm të kërkojmë ndihmë mjekësore sepse po zgjat shumë”, tha një prind.

“Sa vjeçe je? Gjashtë. Çfarë po ndjen, çfarë dhimbje ke? Nuk më dhemb askund por kam temperaturë. Nëse është nevoja a dëshiron të shtrihesh në spital që më shpejt të shërohesh? Po, sigurisht”, tha një fëmijë.

Në korridoret e spitalit dëgjoheshin të qarat e fëmijëve pas analizave të rregullta të gjakut.

“Fëmija ka temperaturë, assesi t’i ulet temperatura. Në Tetovë ishim të shtrirë për një javë dhe asgjë. Erdhëm këtu dhe po presim çfarë do të na thonë. Edhe ne nuk po e kuptojmë se çfarë kanë fëmijët, kolliten, kanë temperaturë të lartë”, deklaroi një prind.

“Koll, temperaturë, po presim me rezultate. Kishin temperaturë mbi 38. Fëmija më i madh u sëmur tani me koll dhe temperaturë ndërsa më i vogli është kohë më të gjatë, me të njëjtat simptome”, shtoi një prind tjetër.

Mjekja Mirjana Popovska shprehet e shqetësuar për numrin e lartë të fëmijëve të sëmurë. Siç tha ajo, brenda 24 orëve janë kryer 200 kontrolle të fëmijëve.

“Për momentin kemi 75 fëmijë të hospitalizuar. Thuajse të gjithë fëmijët e shtrirë në spital kanë infeksione në rrugët e poshtme të frymëmarrjes që nënkupton se bëhet fjalë për fëmijë me pneumoni dhe bronkit akut obstruktiv. Ajo që po mbizotëron këtë periudhë, në ambulancën mikrobiologjike, ajo që është detektuar në institutin tonë, mbizotëron në virusi sincicial i frymëmarjes, posaçërisht te foshnjat. Gjithashtu kemi detektim të gripit sezonal, respektivisht influenca e llojit A”, theksoi Mirjana Popovska, mjeke.

Nga spitali i fëmijëve “Kozle” gjithashtu bën të ditur se vitin 2022 e përmbyllën me 32.700 kontrolle të fëmijëve. Prej tyre, 2.520 fëmijë qëndruan të shtrirë në këtë spital.

Related posts

Kovaçevski bëri thirrje për konsensus politik për vazhdimësi të negociatave me BE-në

Gazetamax.mk

Mjegull në rrugët Tetovë-Grupçin, Kumanovë – Shkup dhe Katllanovë – Veles

Gazetamax.mk

Borxhi i Komunës së Gostivarit gati 8 milionë euro

Gazetamax.mk