Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar më tej, me zhvillime të reja në Arabinë Saudite dhe Jemen. Mbrojtja ajrore saudite ka interceptuar një raketë kruiz të lëshuar nga rebelët Houthi, e cila kishte si drejtim kryeqytetin Riad.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, gjenerali Turki al-Maliki, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA.
Ky është incidenti i fundit pas interceptimit të një droni një ditë më parë dhe rrëzimit të dy raketave balistike të enjten, të cilat gjithashtu kishin si objektiv kryeqytetin saudit.
Ndërkohë, në Jemen, forcat qeveritare kanë njoftuar se kanë zmbrapsur një sulm të rebelëve Houthi në distriktin Al Misrakh, në jug të qytetit Taiz. Përplasjet vijojnë edhe në provincat Taiz, Marib dhe Al Jawf.
Nga ana tjetër, rebelët Houthi kanë raportuar bombardime saudite në kryeqytetin Sana, ku sipas agjencisë Saba, janë dëmtuar tetë banesa dhe tri dyqane. Televizioni Al Masirah ka raportuar për 13 persona të plagosur.
Në zhvillime të tjera diplomatike, Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, pas një takimi të zhvilluar në Islamabad. Ndërkohë, ushtria iraniane ka deklaruar se nuk do t’u kushtojë rëndësi afateve të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump dhe se është e gatshme t’i përgjigjet çdo sulmi, pavarësisht origjinës së tij.
Gjenerali Kioumars Heydari, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura iraniane, ka paralajmëruar se përgjigjja e Teheranit nuk do të ketë më kufizime gjeografike në rast të një sulmi ndaj Republikës Islamike.
Burimi:botasot.info
