Trashëgimia e Friends mund të shihet në një valë të re të sitkomeve amerikane, për miq rreth të njëzetave, që po shfaqen në ekranin e vogël. Por, ndryshe nga seriali klasik, ato po e kanë të vështirë të lënë gjurmë.
Nga: Emily Maskell / BBC (titulli: People are itching to create the Gen Z version of Friends. Here are five reasons it’s impossible)
Asnjë sitkom nuk e ka përkufizuar epokën e vet ashtu si Friends [më poshtë Miqtë – shën. i Tel.] – seriali i viteve ’90 për gjashtë miq rreth të njëzetave që jetonin në Menheten dhe që u bë portretizimi më popullor i Brezit X (njerëzit e lindur midis viteve 1965 dhe 1980). Gjatë të dhjetë sezoneve, nga viti 1994 deri më 2004, audienca mesatare e drejtpërdrejtë e serialit nuk ra kurrë nën 20 milionë shikues. Vetëm episodi i fundit i serialit tërhoqi rreth 5.5 milionë shikues amerikanë, duke u bërë episodi televiziv më i ndjekur i viteve 2000.
Përtej shifrave, Miqtë pati ndikim të jashtëzakonshëm kulturor. Solli modele flokësh (“stili Rejçël”), trende mode (fustanet e tipit slip) dhe shprehje karakteristike (shprehja e Xhoit: How you doin’? [Ç’a ke ba?!]). Dhe, popullariteti i tij vazhdon: në raportin e Universitetit të Los Anxhelosit, Tinejxherët dhe ekranet 2025, Miqtë renditet në vendin e 16-të në listën e filmave ose serialeve televizive të preferuara të Brezit Z, krahas sukseseve aktuale si K-Pop Demon Hunters [Gjuetaret e demonëve të popit korean] dhe The Summer I Turned Pretty [Vera kur u bëra e bukur].
Por, a ekziston një ekuivalent i Miqve për Brezin Z (njerëzit e lindur midis viteve 1997 dhe 2012), që mund të pasqyrojë jetën e tyre? Një valë sitkomësh është përpjekur të riprodhojë atmosferën e tij, duke u përqendruar te jeta e rrëmujshme personale dhe profesionale e të rinjve rreth të njëzetave sot.
Është shfaqur Not Suitable For Work [Të papërshtatshëm për punë] i Mindy Kalingut, për pesë të porsadiplomuar në Menheten, ndërsa sezoni i dytë i serialit kaotik, por i ngrohtë, Adults [Të rriturit] i FX-it, jepet premierë dhe përqendrohet te pesë persona të tjerë që ndajnë një shtëpi përtej lumit, në Kuins. Përtej Nju-Jorkut, serialet e tjera që kanë ndjekur një model të ngjashëm me atë të Miqve përfshijnë serialin e Kalingut, The Sex Lives of College Girls [Jeta seksuale e vajzave të kolegjit], për katër shoqe studente në Vermont, dhe serialin provokues të HBO-së, I Love LA [E dua Los Anxhelosin]: seriali i Rachel Sennottit, për persona në Bregun Perëndimor që aspirojnë të bëhen influencues.
Megjithatë, asnjëri prej këtyre serialeve nuk ka lënë ndonjë përshtypje vërtet të fortë. Not Suitable For Work pati premierën në qershor, me një audiencë modeste dhe kritika jo fort entuziaste, dhe këtë javë u anulua zyrtarisht, ndërsa The Sex Lives of College Girls u anulua në vitin 2025 – pas tri sezonesh. Si Adults ashtu edhe I Love LA, kanë siguruar nga një sezon të dytë, por pa arritur asgjë të krahasueshme me peshën kulturore të Miqve apo të serialeve të sotme që bëhen temë e bisedave të përditshme, si The White Lotus [Zambaku i bardhë] ose The Pitt [Piti].
Ja pesë arsyet pse përpjekja për të krijuar “miqtë e rinj” duket se është një ëndërr e pamundur:
1. Peizazhi sfidues i sotëm televiziv
Sitkomët e Brezit Z po konkurrojnë për vëmendje përballë një sasie të madhe të përmbajtjeve dhe mundësive të pafundme të shfletimit në internet. Kur Miqtë debutoi në vitin 1994, mungesa e shpërqendrimeve nga ekranet e shumta pa dyshim që ishte në favor të tij. Sipas Raportit të Perspektivës së Medias 2026 të kryer nga Activate, 43 përqind e Brezit Z preferojnë YouTube-in ose platformat e videove në rrjetet sociale kundrejt transmetimit me pagesë (37 përqind) ose televizionit tradicional (12 përqind). Sapo një serial nuk është më tërheqës, algoritmet e personalizuara mund të ofrojnë menjëherë diçka që stimulon më shumë dopaminën.
Për më tepër, ndërsa sitkomët tradicionalë të rrjeteve televizive kishin mbi 20 episode për sezon – pjesërisht që të mund t’u shiteshin me fitim stacioneve të tjera televizive për ritransmetime të përditshme – sitkomët modernë në përgjithësi kanë shumë më pak. Të gjitha serialet e reja të stilit të Miqve kanë vetëm tetë deri në dhjetë episode për sezon – që i bie se nuk ka shumë kohë as për të qëndruar vërtet me këto grupe të reja të miqve televizivë, e lëre më për t’u dashuruar me ta.
2. Skenaristët që nuk janë në kontakt me realitetin
Një tjetër e metë e vazhdueshme e sitkomeve të Brezit Z është distanca midis personazheve të tyre dhe krijuesve të serialeve, të cilët janë pa përjashtim milenialë ose më të vjetër. “Nuk ka pasur ende shumë skenaristë televizivë të Brezit Z që kanë arritur të depërtojnë”, vëren gazetari i rubrikës së zbavitjes, Max Gao. “Derisa më shumë prej këtyre skenaristëve t’u jepet një platformë për të treguar historitë e tyre, mund të jetë e vështirë të paraqitet se si është të jesh i ri në klimën e sotme shoqërore dhe politike”.
Edhe Miqtë u shkrua nga njerëz të një brezi më të vjetër se personazhet e tij, por portretizimi i kulturës së sotme rinore, që ndryshon më shpejt, është pa dyshim më sfidues.
Për shembull, përpjekjet e The Sex Lives of College Girls për të përdorur gjuhën e Brezit Z (“Po bëj skrinshota, por me trurin tim”) vazhdimisht nuk ia qëlluan, duke tingëlluar njëkohësisht të sforcuara dhe të dala mode. Edhe Not Suitable For Work dështon me zhargonin rinor (“fakt” dhe “çmenduri”) që tingëllon i sajuar në mënyrën se si përdoret.
3. Dëshpërimi i Brezit Z është material i vështirë për komedi
Shikuesit priren t’i shikojnë sitkomët si një formë të televizionit ngushëllues – dhe Miqtë sigurisht që e përmbushi këtë rol. Por, ofrimi i një përvoje ngushëlluese televizive është i vështirë kur gjendja aktuale e Brezit Z është gjithçka tjetër përveçse e rehatshme. “Ky brez ka kaluar nëpër një pandemi, kriza ekonomike dhe një mjedis politik që është konfliktual dhe të cilit nuk i besojnë”, siç i thotë BBC-së, Dr. Yalda T. Uhls, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Studiues dhe Tregimtarë në Universitetin e Los Anxhelosit.
Në ShBA, Brezi Z po përjeton shkallën më të lartë të papunësisë nga të gjitha grupet demografike: mundësitë për punë të nivelit fillestar po ngushtohen dhe inteligjenca artificiale po zvogëlon fuqinë punëtore. Krahasojeni këtë me gjendjen e Brezit X kur transmetohej Miqtë: ata hynë në tregun e punës mes optimizmit të bumit teknologjik dhe në sondazhe rezultonin “jashtëzakonisht optimistë si individë”.
Kjo do të thotë se krijuesit e këtyre sitkomeve duhet të ecin në një litar të hollë: ta sjellin në ekran përvojën e trazuar të Brezit Z gjatë kalimit në moshën e rritur pa u bërë tepër të zymtë. Not Suitable for Work preku dëshpërimin e Brezit Z për punësimin në një episod ku audicioni emocionues i aktorit aspirues Kel (Nicholas Duvernay) doli se ishte një projekt i kapjes së lëvizjeve me inteligjencë artificiale. Përndryshe, seriali dukej i shkëputur në mënyrë jo të sinqertë nga realitetet e ashpra të sotme.
Sezoni i dytë i Adults përfshin edhe vështirësitë profesionale me të cilat përballet Brezi Z, të cilat mungonin në sezonin e parë – në veçanti Billi (Lucy Freyer) përballet gjatë gjithë sezonit me vështirësinë për të siguruar një punë me orar të plotë.
Këta sitkomë kanë pasur gjithashtu qasje të ndryshme ndaj problemeve të Brezit Z mbi strehimin. Personazhet e Not Suitable For Work jetonin në apartamente fqinje në Menheten, të rregulluara me shije, ashtu si te Miqtë, por në vend që kjo të ishte një aspiratë e padëmshme, siç ishte në rastin e Miqve, tani duket si një fantazi fyese. Adults ofron një vështrim më depërtues mbi pritshmëritë e ulëta të Brezit Z për strehimin, me të pesë miqtë të ngjeshur në shtëpinë me tri dhoma gjumi të fëmijërisë së Samirit (Malik Elassal).
4. Vështirësia e përfaqësimit të diversitetit
Sitkomi i Brezit Z përballet gjithashtu me sfida për të qenë i afërt me një audiencë të gjerë. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, amerikanët e Brezit Z janë “më të larmishëm nga pikëpamja racore dhe etnike se çdo brez i mëparshëm”. Për këtë arsye, Gao thotë: “Mund të jetë e vështirë të përfshihet larmia e këtyre përvojave në një sitkom të vetëm”. Krahasojeni këtë me Miqtë ku personazhet ekzistonin në një rreth shoqëror më homogjen, të bardhë dhe heteronormativ – që në atë kohë ishte standardi mbizotërues i televizionit.
Sex Lives of College Girls i paraqiste dallimet në racë, etni dhe identitet seksual si çështje pa rëndësi, gjë që dukej sipërfaqësore. Në anën tjetër, Adults e përqafon vërtet kastin e tij të larmishëm dhe individualitetet e tyre të dallueshme, nga Pol Bejkër (Jack Innanen), seksualisht fluid, deri te Isa (Amita Rao), vajza e shfrenuar që kalon nga një kauzë shoqërore te tjetra. Por, në aspektin e sitkomit, kjo mund ta bëjë atë të duket pa një fokus të qartë.
5. Gjithçka është tepër onlajn
Sitkomet e sotme të stilit Miqtë nuk mund t’ia lejojnë vetes të shpërfillin praninë e kudondodhur të internetit në jetën e Brezit Z – por, paraqitja e tij sjell problemet e veta. Vendosja e grafikave me tekst mbi ekran është bërë vizualisht e ngathët, ndaj këto seriale kërkojnë mënyra alternative për të përfshirë natyrën gjithëpërfshirëse të jetës në internet – ose nuk e bëjnë fare. Zgjidhja e Adults, në përgjithësi, është që ta shmangë krejtësisht ekranin e telefonit. Ndërkohë, Not Suitable For Work mezi i përmend aplikacionet për takime, gjë që është një lëshim duke pasur parasysh përqendrimin e serialit te jeta e trazuar romantike e personazheve të tij.
I Love LA është i vetmi nga këto seriale që e vendos vërtet në qendër kulturën e sotme digjitale, pasi zhvillohet mes influencuesve të fiksuar pas telefonave dhe njerëzve të tjerë të industrisë së argëtimit. Seriali në mënyrë interesante e dallon performimin onlajn që përshkon këtë brez. Siç pohon një influencues: “Nëse ndalon për një sekondë”, do të “zhdukesh”.
Por, sitkomi ofron pak koment më të thellë mbi nuancat e jetës së dyfishtë të Brezit Z – të kaluar mes botës “reale” dhe botës onlajn – përtej talljes me mendësinë sipërfaqësore të influencuesve të fiksuar pas imazhit. Puna e agjentes së talenteve Maia (Sennott) është tepër e paqartë dhe përmbajtja e postuar nga influencuesja kryesore e serialit, Talula (Odessa A’zion), nuk paraqitet kurrë vizualisht.Deri tani, Adults është sitkomi më i zgjuar i ofruar për Brezin Z, duke paraqitur personazhe me të cilët publiku mund të identifikohet pa sakrifikuar humorin plot gjallëri – dhe, me vlerësimet e mira për sezonin e dytë, do të jetë interesante të shihet se si do të pritet nga audienca. Por, sigurisht që mbetet një betejë e vështirë për ta portretizuar Brezin Z në një mënyrë që të jetë njëkohësisht gazmore dhe autentike – si dhe për të gjetur audiencën që do ta vlerësojë këtë.
