Shkup, 17 maj – Shkupi dhe Tirana peng i Sofjes për marrjen e datës për fillim të negociatave. Petkov thotë që e ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është në BE, por nuk mendon ngjashëm edhe partneri i tij i koalicionit qeverisës në Bullgari. Petkov kur sheh dhe shpreh optimizëm për zgjidhjen e kontestit paralajmërohet se asgjë nuk mund të bëjë kokë në vete në raport me Shkupin sepse nuk do të jetë më kryeministër i Bullgarisë, dhe në këtë situatë është i nevojshëm “intervenimi” faktorit ndërkombëtar për krijimin e një stabiliteti të qeverisjes demokratike në Bullgari që ky kontest të mbyllet njëherë e përgjithmonë, shkruan Zhurnal.
Kontesti i hapur mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është shkaku i prolongimit të marrjes së datës për fillim të negociatave me BE-në. Por ky është një problem që nuk bllokon vetëm një shtet, janë dy shtetet që bllokohen nga ky kontest i pa mbyllur ende. Shqipëria mollë-sherri nga mungesa e një zgjidhje mes këtyre dy shteteve. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vlerësuar se duhet të shkojnë bashkërisht si bllok në Bashkimin Evropian, prandaj edhe nuk parapëlqehet një ndarje e Shqipërisë nga krerët e BE-së.
Së fundmi, pati ndryshime të mëdha dramatike në dy shtetet si në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari, ku kemi dy kryeministra të rinj me plotë entuziazëm e energji për ta zgjidhur këtë kontest. Dimitar Kovaçevski nga RMV, dhe Kirill Petkov nga Bullgaria, në fillimet e tyre patën një fluks takimesh e lëvizje progresive duke ngjallur shpresë e optimizëm, u formuan komisione historike, që gjitha çështjet të zgjidhen dhe të vihet deri te një marrëveshje për fqinjësi të mirë, dhe Bullgaria ta heq veton t’i hap rrugë dy shteteve për anëtarësim në BE.
“Jemi të vendosur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë duhet të jetë në BE, kjo është mirë për rajonin” deklaroi kryeministri bullgar Kiril Petkov në një intervistë për televizionin rumun Digi 24 TV.
A rrezikohet të rrëzohet Qeveria e Petkov përshkak të Shkupit?
Mes tjerash ai ka folur edhe për mundësinë e rrëzimit të tij nga pozita e kryeministrit të Bullgarisë nëse bënë hapa pa pajtueshmëri me partnerët e koalicionit, dhe ai nuk garanton asgjë për të ardhmen se çfarë mund të ndodhë.
“Nuk mund të jem përgjegjës për asgjë nëse qeveria ime zhduket. Nëse qeveria ime mbijeton, dhe unë punoj për këtë çdo ditë, ne jemi të vendosur që e ardhmja në BE e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është atje, ajo duhet të jetë atje. Kjo është e mirë për rajonin. Natyrisht, ka gjëra që duhen bërë ende dhe duhet të punojmë shumë për t’ia arritur. Ne i dimë pengesat dhe problemet që duhen zgjidhur, tani ato vetëm duhet të zgjidhen. Përveç kësaj, nuk mund të jem përgjegjës për asgjë tjetër në të ardhmen”, ka thënë Petkov.
Nga ana tjetër Petkov paralajmërohet se duhet të jetë i vëmendshëm që të mos veprojë asgjë kokë në vete, nga partneri koalicionit dhe krerët tjerë institucional, madje “kërcënohet” edhe për rrëzimin e tij nga pozita e kryeministrit dhe prishjen e Qeverisë.
“Në marrëveshjen mes koalicioneve qeverisëse qartë është shënuar se cilat kushte duhet Maqedonia e Veriut t’i plotësojë që të vazhdojë procesin e inkuadrimit. Nëse Kirill Petkov ndryshon qëndrimin për Shkupin, ndoshta nuk do të jetë më kryeministër”, ka deklaruar Georgi Svilenski, partner koalicioni me Kirill Petkovin në Bullgari.
Ai ka shtuar se qëndrimi tyre është konsistent, që Maqedonia e Veriut mundet të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së pas përmbushjes së marrëveshjes dhe deklaratës nga Kuvendi popullor Bullgar.
“Kjo është vija e kuqe për të gjithë bullgarët. Shoqëria në këtë temë është e bashkuar. Mbi 80% e qytetarëve bullgarë e mbështesin qëndrimin e partisë tonë dhe koalicionit qeveritar, ndërsa është mbështetur edhe nga një pjesë e bukur e opozitës”, ka përfunduar Svilenski.
Në të njëjtën vijë është edhe deputetja Ekaterina Zaharieva, gjithashtu edhe ajo tha se Bullgaria po udhëheqë dy palë bisedime me Maqedoninë e Veriut, duke aluduar se kryeministri Petkov nuk po e përfshinë MPJ-në në bisedimet me Maqedoninë e Veriut.
Petkov dëshiron zgjidhje por nuk është “duar zgjidhur” të vendosë çfarë të dëshiron-
Kjo nënkupton që Petkov krahas dëshirës, vullnetit e optimizmit për zgjidhjen e këtij kontesti, ai është duar lidhur nga “nacionalistët” që i ka partner koalicioni, që nuk guxon të marrë vendime të guximshme sepse rrëzohet.
Koalicioni qeverisës në Bullgari nuk njihet për bashkëpunim të frytshëm, dhe nuk ka konsensus për veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme Dimitar Gardev ka komenttuar për BNT se “në vitin e fundit marrëdhëniet dypalëshe midis Bullgarisë dhe RMV, në vend që të përmirësoheshin janë përkeqësuar ndjeshëm”, dhe me insistimin e shërbimeve gjatë vizitave të saj në RMV, ministrja e Punëve të Jashtme Teodora Gencovska ishte nën sigurim të posaçëm, për çështje sigurie.
Ndryshe nga një koalicion i tillë qeverisës në Bullgari është shumë e vështirë për tu arritur një marrëveshje përfundimtare, sidomos me formim të komisioneve historike, të cilët komisione bazohen në fakte shkencore dhe përbëhen nga historianë që në politikë historianët nuk njihen që janë tolerantë në negocime. Prandaj, vetëm angazhimi politik me “duar zgjidhur” mundëson një marrëveshje përfundimtare, por për këtë është e nevojshme ndihma e ndërkombëtareve.
Nevoja për “intervenim ndërkombëtar” sikurse në rastin e Maqedonisë së Veriut është e patjetërsueshme
Tani është më e rëndësishme se asnjëherë më parë të përdoret modeli paraprak “intervenimi ndërkombëtar”, sikurse në Maqedoninë e Veriut që ishte intervenuar për largim nga pushteti të partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, vetëm që të vijë në pushtet LSDM-ja, parti e cila arriti të krijojë marrëveshje paqësore historike me shtetin fqinjë, Greqinë, me çka Maqedonia e Veriut u bë edhe anëtari i 30 i Aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO.
Pra, në vitin 2017 edhe pse ish kryeministri, Nikolla Gruevski, kishte arrit të marrë mandatin për formim të Qeverisë nga ish presidenti, Gjorgje Ivanov, nuk arriti të formojë Qeverinë, përshkak se nuk mundi të krijojë koalicion me partitë shqiptare, që është e patjetërsueshme.
Partia fituese e zgjedhjeve te kampi shqiptarë vendosi të mos bëj koalicion me VMRO-në sepse kështu ishte e “urdhëruar” të shkojë në koalicion me LSDM-në atë kohë parti progresiste e që pritej të bënin ndryshime të mëdha, një prej ndryshimeve mbase edhe për të cilin iu dha hapësira të marrin timonin e Qeverisë është ndryshimi i emrit të shtetit me Marrëveshjen e Prespës.
Prandaj, nëse në samitin e qershorit sërish vetoja bullgare pengon marrjen e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për fillim të negociatave me BE-në, është e patjetërsueshme ndihma ndërkombëtare apo një “intervenim” pikërisht me modelin e Maqedonisë së Veriut që edhe në Bullgari të krijohet një Qeveri jo e arnuar me deputetë nacionalist të cilët në mëngjes në Qeveri e në mbrëmje “kërcënojnë” për rrëzim qeverie, por një Qeveri të pavarur legjitime e demokratike, që ndanë vlerat evropiane dhe është pro zgjerimit të BE-së, mbi të gjitha Qeveri që dëshiron që edhe fqinji Maqedonia e Veriut të jetë e integruar në Bashkimin Evropian. /Zhurnal.mk