GazetaMax
Lajme

Presidentja e përkohshme e Venezuelës e shkarkon gjeneralin që e drejtonte mbrojtjen e Maduros

Gjenerali që e udhëhiqte rojën presidenciale të nderit të Venezuelës, Javier Marcano Tabata, është shkarkuar disa ditë pasi presidenti tashmë i rrëzuar, Nicolas Maduro, u kap nga forcat amerikane gjatë një operacioni në Karakas dhe u dërgua në Nju-Jork për t’u gjykuar nën akuzat për narko-terrorizëm.

Roja presidenciale e nderit është forcë ushtarake që përgatit truproja të ngarkuara me detyrën e mbrojtjes së kreut të shtetit, raporton televizioni BBC.

Përderisa Qeveria ende nuk ka ofruar të dhëna të hollësishme për të vrarët, mendohet se pjesëtarë të rojës presidenciale janë në mesin e dhjetëra të vrarëve gjatë operacionit amerikan për kapjen e Maduros.

Urdhri për zëvendësimin e gjeneralit Marcano Tabata u lëshua nga presidentja e re, e përkohshme, Delcy Rodríguez.

Ajo u betua të hënën në postin më të lartë me miratimin e Asamblesë Kombëtare, ku mbizotërojnë figurat besnike ndaj pushtetit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se zonja Rodriguez do të ballafaqohet “me një fat më të keq se të Maduros”, nëse nuk i respekton kërkesat e Uashingtonit, përfshirë ato për naftën. Venezuela i ka rezervat e vërtetura të naftës më të mëdha në botë.