Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi shërbimi për shtyp i Kremlinit. Politikanët, ndër të tjera, diskutuan edhe për samitin ruso-amerikan që u zhvillua në Alaska më 15 gusht, tha Kremlini.
Në bisedën e tij me Erdoganin, Putin komentoi takimin e tij me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, dhe në këtë kontekst, presidentët e Rusisë dhe Turqisë diskutuan çështjen e zgjidhjes së konfliktit ukrainas. Kremlini tha se kreu i shtetit rus falënderoi bashkëbiseduesin e tij për ndërmjetësimin e negociatave midis Moskës dhe Kievit në Stamboll.
Përveç kësaj, politikanët diskutuan çështjet aktuale në axhendën dypalëshe, për shembull, vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve.
“U ra dakord të vazhdohen kontaktet personale”, thuhet në faqen zyrtare të Kremlinit.
Turqia mbështet përpjekjet për të vendosur paqe të qëndrueshme në Ukrainë me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, i tha Erdogan Putinit gjatë një telefonate sot, tha presidenca turke.
Erdogan i tha gjithashtu Putinit se po ndiqte nga afër zhvillimet që lidhen me procesin dhe se Turqia kishte mbrojtur një paqe të drejtë që nga fillimi i luftës, tha presidenca turke.