Rasti i Danka Ilić: Ndërpritet procedura penale ndaj Radoslav Dragijeviqit

Gjykata e Apelit në Nish ka ndërprerë përfundimisht procedurën penale ndaj Radoslav Dragijeviqit, babait të Dejan Dragijeviqit, njërit prej dy të akuzuarve për vrasjen e rëndë të dyvjeçares Danka Ilić.

Gjykata e shkallës së dytë e hodhi poshtë si të pabazuar ankesën e Prokurorisë së Lartë Publike në Zajeçar dhe konfirmoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë në Negotin, të datës 1 qershor 2026. Sipas gjykatës, nuk ka prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzës ndaj Radoslav Dragijeviqit.

Ai dyshohej se e kishte ndihmuar djalin e tij, Dejan Dragijeviq, pas vrasjes së pretenduar të vajzës, duke marrë pjesë në zhvendosjen e trupit të saj në një vend të panjohur. Ndaj tij rëndonin akuzat për moskallëzim të veprës penale dhe autorit, si dhe për ndihmë ndaj autorit pas kryerjes së veprës penale.

“Gjykata e Apelit në Nish, duke vepruar sipas ankesës së prokurorisë, vendosi ta refuzojë atë si të pabazuar dhe konstatoi se nuk ka bazë për ngritjen e aktakuzës, prandaj procedura penale ndërpritet”, deklaroi zëdhënësja e Gjykatës së Apelit, Tamara Saviq.

Vendimi është i formës së prerë, që do të thotë se procedura penale ndaj Radoslav Dragijeviqit nuk do të vazhdojë më për këto akuza.

Megjithatë, gjykata theksoi se me këtë vendim nuk janë vlerësuar të gjitha rrethanat e zhdukjes së Danka Ilić, por vetëm është konstatuar se prokuroria nuk ka siguruar prova të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës ndaj tij.

Ndërkohë, procedura penale ndaj Dejan Dragijeviqit dhe Srgjan Jankoviqit vazhdon. Gjykata e Apelit më herët ka konfirmuar aktakuzën ndaj tyre për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa prokuroria ka propozuar dënim me burgim të përjetshëm.

Sipas aktakuzës, më 26 mars 2024, në Bansko Pole pranë Borit, Dragijeviq dhe Jankoviq dyshohet se me automjetin zyrtar të ndërmarrjes komunale “Vodovod” goditën dyvjeçaren Danka Ilić, më pas e futën në automjet dhe trupin e saj e transportuan në një deponi. Prokuroria pretendon se më vonë trupi u zhvendos në një lokacion tjetër.

Trupi i vajzës nuk është gjetur ende.

Danka Ilić u zhduk më 26 mars 2024 në Bansko Pole pranë Borit. Zhdukja e saj shkaktoi një nga kërkimet më të mëdha në Serbi dhe rasti vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe të opinionit publik.