GazetaMax
Lajme

Rezultatet e para jozyrtare sipas KSHZ-së: AKI fitoi dy komuna, VMRO dhe PDT nga një komunë

Sipas 96,44% të votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të katër komunave, koalicioni AKI fitoi dy komuna, VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike e Turqve fituan nga një.

Nga koalicioni AKI fitoi Valbon Limani me 14,646 vota në Gostivar përballë Nevzat Bejtës nga VLEN me 7,208 vota. Isen Shabani në Vrapçisht fitoi me 5,414 vota përballë Zulhajrat Demirit me 3,135 vota, kandidat i pavarur i përkrahur nga VLEN..

Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Oner Jakuposki fitoi në Mavrovë Rostushë me 1,963 vota përballë kandidatit të LSDM-së Anes Ahmeti që mori 955 vota.

Ndërsa në Qendër Zhupë me 973 fitoi kandidati i vetëm i paraqitur, Arijan Obrahim nga Partia Demokratike e Turqve.

Këto janë rezultatet e para jooficiale të cilat i akumuloi KSHZ-ja në bazë të të dhënave elektronike të cilët hyjnë në sistem dhe shpallen në sistem.

“Rezultatet e para oficiale do të shpallen gjatë ditës së nesërme kur do të pranohen proces-verbalet nga zgjedhjet e sotme dhe pasi të analizohen dhe verifikohen KSHZ-ja do të thirë mbledhje dhe do t’i shpallë rezultatet e para oficiale”, thanë nga KSHZ-ja.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor 2025 nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.

Rezultati i rrethit të parë dhe dytë të zgjedhjeve të rregullta
Zgjedhjet e teta lokale në RMV u mbajtën në vjeshtën e vitit 2025, rrethi i parë u mbajt më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë me 2 nëntor.

Në rrethin e parë u zgjodhën 44 kryetarë komunash, në raundin e parë VMRO-DPMNE fitoi 33 komuna, VLEN 5, AKI 3 dhe LSDM 3.

Në rrethin e dytë VMRO-DPMNE fitoi 21 komuna dhe Qytetin e Shkupit, Vlen 4, LSDM 3, AKI 1, ZNAM 1, Unioni i Romëve 1 dhe Mendi Qyra i përkrahur nga VLEN.