GazetaMax
LIFESTYLE

Roli i ultrazërit në diagnostikimin e sëmundjeve të syrit

Mr.sci.dr. Besim Maliqi
Oftalmolog
Tel. 044230915

Çfarë është ultrazëri i syrit dhe orbitës?

Ultrazëri i syrit (ekografia) është një metodë diagnostike jo-invazive, e cila me ndihmën e valëve të ultrazërit me frekuencë të lartë, mundëson ekzaminimin dhe matjen e shpejtë, pa dhimbje, të padëmshme dhe të sigurt të:

▪ strukturave normale të syrit dhe orbitës (monitorimi i rritjes së syve, përgatitja për operacionin e kataraktit, si dhe
▪ zbulimin, matjen dhe monitorimin e strukturave patologjike të syrit dhe orbitës, si: inflamacionin ose tumoret brenda ose jashtë syrit (në orbitë), lëndimet dhe zbulimin e trupave të huaj, shkolitjen apo ablacionin e retinës, gjakderdhjet dhe shumë gjendje të tjera. Veçanërisht, është i rëndësishëm në diagnostikimin e sëmundjes Graves Bazedow.

Kur ka filluar përdorimi i ultrazërit të syrit?

Përdorimi i ultrazërit në diagnostikimin e sëmundjeve të syrit fillon me punimet e Oksala dhe Lehtinen, në vitin 1957 në Finlandë. Oksala në mes viteve 1957-1960, ka botuar dhjetëra punime, ku ka përshkruar karakteristikat ekografike të shumicës së sëmundjeve intraokulare. Prej tyre, në të vërtetë, fillon edhe përdorimi i gjerë i UZ të syrit në shumë shtete, para se gjithash në Evropë, e cila me të drejtë, quhet si djep i ultrasonografisë.

Ekzistojnë dy lloje të ultrazërit të syrit dhe orbitës:

A metoda apo A-scan, dhe
B metoda apo B-scan.

▪ Ekografia me A-scan apo biometria, bën matjen e gjatësinë boshtore të syrit. Më së shpeshti përdoret në përcaktimin e fuqisë së saktë të lenteve intraokulare në kirurgjinë e kataraktit, ndërsa
▪ Ekografia me B-scan lejon që mjeku të shohë strukturat në pjesën e pasme të syrit.

Në vitet e para të përdorimit të ultrazërit, është shfrytëzuar kryesisht A-metoda ose TAU (Time amplitude ultrasonography).

Te kjo metodë koha e kalimit të zërit shfaqet në osciloskop si defleksion horizontal, ndërsa pengesat (normale ose patologjike) nga të cilat rikthehet shfaqen si defleksioni vertical nga horizontalja në formë linjes grafike.

Lartësia e defleksionit është proporcionale me amplitudën e echos së kthyer, ndërsa distanca në mes tyre paraqet largësinë nga njëra deri te tjetra pengesë.

                                                  A-scan                                         B-scan

A metoda apo A scan: tregon një ekogram në formën e një vije, e cila është horizontale (vija izoelektrike) nëse valët ultrasonike kalojnë nëpër mediumin akustik homogjen.

Megjithatë, kur valët ultrasonike arrijnë në kufirin në mes dy mediumeve me dendësi akustike të ndryshme (p.sh. në mes corpus vitreum-it në njërën anë dhe shkolitjes së retinës, tumoreve, trupave të huaj etj. në anën tjetër, atëherë paraqiten valët me amplituda të ndryshme. Prandaj edhe vjen emërtimi i A metodës apo A- scan, në bazë të shkronjës së parë të fjalës amplitudë.

Baum dhe Greenwod (1958), në Amerikë, të parët në oftalmologji aplikuan B-metodën ose IMU (Intensity modulated ultrasonography).

B metoda jep prezantimin dydimensional të gjetjes ekografike. Te kjo metodë, të gjitha pengesat në të cilat has ultrazëri, prezantohen në formë pikave të ndriçuara intenzivisht. (Bright= i ndritshëm, i qartë). Nga germa e parë e kësaj fjalë angleze rrjedh edhe emërtimi B metoda ose B scan. Distanca në mes tyre paraqet kohën e kalimit të ultrazërit dhe kthimit të echos deri te sipërfaqja e sondës.

Në cilat raste mjekët përdorin ekografinë e syve?

Nëse keni probleme të pashpjegueshme të syve ose keni pësuar një dëmtim ose traumë në zonën e syve, mjeku juaj zakonisht do t’ju sugjerojë një ultrazë të syrit.

Kjo procedurë është e dobishme për njohjen e problemeve të syve, si dhe diagnostikimin e disa sëmundjeve të syve.

Indikacioni kryesor për ultrazërin e syrit është mediumi optik jo i tejdukshëm (turbullirat e kornesë, turbullirat e thjerrëzave, turbullirat e trupit qelqor), gjë që e bën pjesën e brendshme të syrit të paarritshme për inspektim vizual.

Ekografia është një metodë efektive e ekzaminimit te:

▪ inflamacionet ose tumoret brenda ose jashtë syrit (në orbitë),
▪ trupat e huaj në sy,
▪ shkolitja e retinës (ablacioni i retinës),
▪ gjakderdhjet e ndryshme intraokulare,
▪ gjendjet patologjike orbitale,
▪ matjet e muskujve të syve,
▪ është veçanërisht e rëndësishme në diagnostikimin e sëmundjes së tiroidesë (Grawes Basedow),
▪ për monitorim të ekzoftalmusit,
▪ matja e gjatësisë boshtore të syrit dhe përcaktimin e fuqisë së saktë të lenteve intraokulare në kirurgjinë e kataraktit (biometria).

Reklama

Si të përgatiteni për një ultrazë të syrit dhe orbitës?

▫ Ekzaminimi me ultratinguj i syve nuk kërkon përgatitje të veçanta.
▫ Procedura është plotësisht pa dhimbje.
▫ Pika anestetike përdoren për të zvogëluar shqetësimin.
▫ Bebëza nuk do të zgjerohet, por shikimi juaj mund të mjegullohet përkohësisht gjatë testit.
▫ Këshillohet të shmangni ngasjen për 30 minutat e ardhshme.
▫ Mos i fërkoni sytë pas aplikimit të anestetikut, në mënyrë që të mos gërvishtni kornenë.
▫ Nëse pacienti mban lente kontakti, është e nevojshme të hiqen ato para ekzaminimit.

Si funksionon ultrazëri i syrit dhe orbitës?

Ekzaminimi me ultratinguj i syrit dhe orbitës funksionon duke vendosur pika të anestetikut lokal në sy (te metoda A-scan) dhe një xhel kontakti në qepallat e mbyllura të pacientit (te metoda B-scan).

Xheli ka rolin e përmirësimit të përçueshmërisë së valëve të ultratingullit dhe eliminimit të ajrit midis lëkurës dhe sondës, duke krijuar kështu një depërtim në strukturat e syrit dhe orbitës.

Sonda është një pajisje e vogël plastike që dërgon dhe pranon valë të ultratingullit.

Parimi i përdorimit diagnostik të ultrazërit bazohet në emetimin e valëve të zërit me frekuencë të lartë duke përdorur sonda të veçanta dhe analizën e ‘feedback’-ut.

Related posts

10 të vërtetat mbi tradhtinë gjatë martesës

e-max

Uji i vakët “ilaç” për tretje më të mirë

e-max

GIli duket si ‘kukull’ e grimuar, do ta ‘xhelozoi’ edhe reja

e-max