GazetaMax
Lajme

Sot përkujtohen/ Shaban Polluzha, Mehmet Gradica dhe shumë trima të Drenicës të vrarë në vitin 1945

Shkruar: nga Bedri Tahiri.

Në përkujtim të dy Kolosëve të Drenicës

SHABAN POLLUZHA (1873-1945)

U lind më 1873 në Polluzhë të Drenicës. Ky ishte i biri i Mustafë Rexhep Kastratit që kishte vetëm një vëlla, Dervishin, i cili vdes në moshë të re dhe nuk la trashëgimtar. Shaban Polluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Ai nuk pati mundësi të shkollohet, por, si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese. U konfrontua me bullgarë e austriakë gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe me regjimin e Jugosllavisë borgjeze
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i një pjesë te frontit në Mal të Zi, në Kolashin dhe në Sanxhak, ku u dallua për organizim e strategji. Ishte anëtar i Këshillit të Islihatit (Gjyqit pajtues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit e emërojnë kryetar të Islihatit në Drenicë.
Trimi Shaban Polluzha kishte edhe taktikë politike e diplomatike. Ai me strategji politike kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai, asnjëherë, këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji që do të zgjidhte çështjen shqiptare.

Shpeshherë në mesin e shokëve dhe bashkëkohësve të tij thoshte: “Unë kam përvojë në bashkëpunim me serbët, siç jam munduar të bashkëpunoj me ta sinqerisht, po me kot, sepse besë dhe marrëveshje të sinqertë kurrë nuk kam mund të bëj me ta”. Prandaj, shton ai, duhet mbajtur njëfarë afrimi politik, derisa t’ia arrijmë qëllimit tonë”.
Për këtë, paria dhe këshilli organizativ i Kuvendit te Skënderajt e propozuan për Komandant të Brigadës së Drenicës, para dhe gjatë luftës se saj, deri në rënien heroike, midis natës së 21 e 22 shkurtit 1945.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtarisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij. Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) 2 dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq.

Beteja vendimtare e Luftës së Drenicës u zhvillua në Tërstenik, në tri kullat e Dvoranëve. Lufta u bë e vështirë, u vranë nga të dy palët. Armiqtë nuk kishin çka të na bënin më me armë të lehta. U detyruan të sillnin edhe topa të rëndë nga Prishtina. Me ta erdhi edhe vetë gjenerali Petar Brajoviç. Togeri Mehmet Gradica e heton dhe e plagos nga një frëngji e kullës. Dhe, në fund, pas një qëndrese titanike, plagosën dhe ndërrojnë jetë edhe dy vigajtë e Drenicës: Shaban Polluzha e Mehmet Gradica…
Luftëtarin dhe udhëheqësin e shquar kombëtar, Shaban Polluzha, për kontributin e tij të lartë, më 1992, presidenti i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, e dekoroi me “Urdhrin e Klasit të Parë”.
Tek pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe shpalljes se Pavarësisë së Kosovës, pra, më 20 shkurt 2009, tribuni Shaban Polluzha u shpall “Hero i Kombit”.
Në përfundim e sipër është edhe ndërtimi i Kullës së tij në vendlindje, në Polluzhë.

MEHMET GRADICA (1913-1945)

U lind më 1913 në Gradicë të Drenicës. Babë Isufi e nënë Fata (bija e Brahim Lutës nga Gllanasella) patën tre fëmijë: Ukën, Mehmetin dhe Shehiden. Në moshën shtatëvjeçare vajti në shkollën e Dobrashecit, ku mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm, por nuk arriti ta përfundojë, sepse e përjashtuan si “kokëfortë” e i “papërshtatshëm”. Dëshira për të vazhduar më tutje nuk iu plotësua për shkaqe ekonomike…
-O burra, kjo nuk durohet! Me shkjet e pabesë nuk ka jetë!- shfrente vazhdimisht, nëpër ndeja e kuvende. Edhe pse i ri, qëndrimi i tij kishte efekt dhe një ditë përfundoi në burgun e Mitrovicës. Vërtet, që kur kishte ikur nga shërbimi i ushtrisë serbe, ai jetonte në ilegalitet. As prangat e rënda nuk ia shuan idealin liridashës. Një ditë theu derën e qelisë dhe u arratis. Që nga ai moment, armatoset, del në mal dhe nis jetën e komitit. Afër tetë vjet qëndroi në Shqipëri, ku ra në kontakt me atdhetarët: Alush Smajlin, Aziz Zhilivodën, Banush Sadllarin, Rexhep Gjelin etj. Gjatë asaj kohe i mbaroi edhe mësimet e mesme në shkollën e Tiranës.

Kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë, më 6 prill 1941, Mehmet Gradica me njëzet e pesë luftëtarë kthehet në Kosovë me gradën e nëntogerit. Ata në fillim vendosen në Samadrexhë të Përmalinës së Vushtrrisë. Pas dy ditësh sulmojnë burgun e Vushtrrisë, ku serboçetnikët po mbanin mbyllur shumë shqiptarë. Dhe, vetëm pas dy ditësh, u shkon në ndihmë artakollasve për zprapsjen e çetnikëve të Kaliçaninit.

Pa humbur kohë hyn në shërbim të Qeverisë Shqiptare si postkomandant xhandarmërie në Mitrovicë, në Podujevë, në Stan Tërg, në Vushtrri, në Skënderaj. Më 1943, duke u bazuar në aftësitë dhe trimëritë e tij të treguara nëpër beteja të ndryshme, përparohet në toger. Emri i tij mori përmasa mitologjike dhe gati për të gjallë u shndërrua në legjendë.
Gjatë LDB Mehmet Gradica u tregua hero i vërtetë. Ai, nuk luftoi për grada e për pasuri, por për një bashkim gjithëkombëtar. Ai kurrë nuk i besoi komunizmit, sepse, sipas tij, ai ishte një sllavizëm i rrezikshëm dhe për shqiptarët nuk sillte gjë tjetër veçse kob e fatkeqësi.

Më 1943, bashkë me Ahmet Selacin, formojnë xhandarmërinë dhe grupet e armatosura vullnetare për ta mbrojtur vendin nga harbutëria që rrinte e gatshme në veri të Shalës së Bajgorës. Ai, disa herë kaloi edhe në Shqipëri për ta penguar këtë fantazmë gllabëruese, që vinte nga Rusia staliniste. Këta ishin në lidhje edhe me të huajt. Pranë tyre qëndronte edhe gjermani Allojz Bergman, i cili emetonte lajme dhe informata…Madje, me gjasë, në rast nevoje, edhe Divizioni “Skënderbeg” do të vihej në shërbim të tyre. Kur po mbaronte Lufta e Dytë Botërore, dy vigajtë drenicas, Shabani dhe Mehmeti, i pari Komandant Suprem i BRIGADËS e i dyti zëvendës i tij, mblodhen mendjen dhe fuqinë dhe të bërë tok, sfiduan historinë. Pasi u kthyen nga Podujeva, luftuan, qëndruan, përballuan.

Erdhi edhe java e dytë e shkurtit 1945. Komandantët e Luftës së Drenicës, me rreth gjashtëdhjetë luftëtarë, ishin pozicionuar në tri kullat e Dvoranëve, në Tërstenik. Nga frëngjitë e tyre jehonte kushtrimi: Liri a vdekje! Peter Brajeviqi, komandant i Divizioit 52 të Ushtrisë Jugosllave, po pëlciste nga inati që topat e tij nuk po bënin punë. Sakaq, gjylet e topit, të shënjuar nga syri i një shqipfolësi, shkatërruan kulmin e kullës së trimave. Trarët ranë mbi trupat e tyre. U plagos Shaban Polluzha! U plagos edhe Mehmet Gradica! Një copë e granatës ia kishte këputur këmbën. Por nuk jepej. Ashtu, me këmbën zvarrë, hipur mbi kalë, kapërceu tre rrathë, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur. Në afërsi të shkollës së Dobrashecit, u lodh shumë. E pa veten në një pasqyrë dhe i mërzitur tej mase tha: “Heu Mehmet më mirë me të pas hangër qentë, se sa të hangrën komunistët çetnikë serbë”

Edhe në ato momente, ishte 22 shkurti 1945, iu kujtua amaneti i Azem Galicës, që trupin e tij mos ta shihnin serbët as për së vdekuri. Dhe, shokët besnikë: Isuf Gjilani, Brahim Luta, Rexhep Gjeli e Xhemë Zeqiri, në fshehtësinë më të madhe e varrosen në vreshtat e dajës së tij, Brahim Lutës, në vendin e quajtur Makresh. Njësoj kishin vepruar edhe me Shaban Polluzhën, trupin ia kishin hedhur në lumin Drenica.

Related posts

Gazetari maqedonas i kërkon falje Artan Grubit

Gazetamax.mk

Ahmeti: Mbi funksionet partiake qëndrojnë misionet dhe pesha e madhe e përgjegjësisë

Gazetamax.mk

Nga Janari pritet rritje e çmimit të rrymës

Gazetamax.mk