Një sulm ajror rus goditi një zonë banimi në qytetin e Kharkivit gjatë natës së kaluar, duke lënë të vrarë tre persona, përfshirë një fëmijë dyvjeçar, dhe duke plagosur të paktën 17 të tjerë, njoftuan autoritetet ukrainase të hënën.
Guvernatori rajonal, Oleh Synehubov, konfirmoi se një dron rus kishte shkaktuar vdekjen e fëmijës, ndërsa një sulm paraprak me raketë balistike kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe kishte dëmtuar qindra banesa.
Kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov, tha se mes të plagosurve janë edhe gjashtë fëmijë të moshës nga 6 deri në 17 vjeç.
“Një grua sapo është shpëtuar nga rrënojat: ajo është gjallë”, tha Terekhov në një postim herët të hënën, duke paralajmëruar se më shumë njerëz mund të jenë të bllokuar nën rrënoja.
Ndërkohë, dy persona u plagosën në rajonin fqinj të Sumy-t, ku sulmet ajrore dëmtuan të paktën një duzinë banesash dhe një institucion arsimor. Kreu i administratës rajonale, Oleh Hryhorov, e cilësoi sulmin si një “akt të qëllimshëm” kundër infrastrukturës civile.
Ekipet mjekësore dhe ato të shpëtimit ndodhen në vendngjarje, duke ndihmuar banorët dhe duke inspektuar ndërtesat e dëmtuara. Deri tani nuk ka pasur koment nga Moska mbi ngjarjen, shkruan Reuters.
Në një zhvillim paralel diplomatik, Presidenti Donald Trump, i cili priti Presidentin Vladimir Putin në Alaska të premten për bisedime që synonin përfundimin e luftës, i ka kërkuar Kievit të bëjë një marrëveshje me Moskën, duke deklaruar:
“Rusia është një fuqi shumë e madhe, dhe ata nuk janë”, është shprehur Trump.