GazetaMax
Kuriozitete

Sulmi në zemër që nuk e ndjeni – por që mund t’ju kushtojë jetën

Zemra mund të godasë në heshtje – njihni simptomat që shpesh injorohen!

Dr. Arlind Ferati,
Spz. i Kardiologjisë, PhDc

Kur mendojmë për sulmin në zemër, shumicës i vjen ndërmend një moment i frikshëm – dhimbje në gjoks, panik, ambulancë. Por çfarë ndodh kur sulmi nuk jep asnjë shenjë? Çfarë ndodh kur zemra juaj bërtet, por ju nuk e dëgjoni?

“Jo çdo sulm në zemër vjen me dhimbje – disa vijnë me heshtje… dhe pasoja të përhershme.”

Çfarë është një sulm i heshtur në zemër?

Një sulm i heshtur në zemër (infarkt pa simptoma të dukshme) ndodh kur një pjesë e muskulit të zemrës dëmtohet për shkak të mungesës së qarkullimit të gjakut në arteriet, ‘damarët’ e ngushtuara apo të bllokuara, por personi nuk ndien dhimbje ose e ngatërron me diçka të parëndësishme si lodhje apo urth nga lukthi.

“Trupi juaj mund të vuajë në heshtje – dhe gjithçka që duhet është një kontroll për ta ndaluar këtë heshtje të bëhet fatale.”

Sipas studimeve nga American Heart Association (AHA) 1 në 5 persona¹ që pësojnë sulm në zemër nuk janë në dijeni të tij deri sa zbulohet aksidentalisht në kontroll mjekësor, kurse statistikat e NCHS dokumentojnë që cdo 33 sekonda regjistrohet një vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare².

Kush është më i rrezikuar?

• Personat me diabet – nuk ndiejnë dhimbjen për shkak të dëmtimit të nervave.
• Gjinia femërore – shpesh kanë simptoma më të lehta ose të ndryshme nga meshkujt.
• Të moshuarit – reagimi i trupit është më i ngadalshëm.
• Personat me- hipertension, kolesterol të lartë apo histori familjare, mbipeshë.³
• Gjendjet stresuese.

“Mos prit të jesh i sëmurë për të kujdesur për veten. Zemra nuk pret.”

Kur përvoja bëhet mësim

Një burrë 56-vjeçar me diabet erdhi për një kontroll rutinë. E vetmja ankesë? “Kam qenë pak më i lodhur kohëve të fundit“. Pas një EKG-je dhe testeve, zbuloi se kishte kaluar një sulm në zemër javë më parë — pa ditur asgjë.

“Ndonjëherë, shenja e vetme është intuita që diçka nuk po shkon si duhet. Mos e injoroni.”

Simptoma të heshtura që duhen marrë seriozisht

• Lodhje e pazakontë
• Vështirësi në frymëmarrje
• Djersitje të ftohta
• Parehati në shpinë, nofull apo shpatulla
• Të përziera në lukth ose marramendje

“Sulmi në zemër nuk është gjithmonë një film dramatik – ndonjëherë është një kapitull i heshtur që nuk e lexuam dot në kohë.”

Çfarë mund të bëni sot?

• Kontrolloni tensionin, kolesterolin dhe sheqerin në gjak.
• Ushtroni për zemrën tuaj – 30 minuta ecje në ditë bëjnë diferencë.
• Lini duhanin, 5 minuta e më herët, një cigare e më pak.
• Ushqehuni shëndetshëm – më shumë fruta, peshk dhe vaj ulliri, shmangni ushqimet e përpunuara dhe të shpejta, preferoni ushqime të lëngshme.
• Bëni kontrolle të rregullta te mjeku – sidomos nëse keni faktorë rreziku si: hipertensioni, diabeti, yndyrat, duhanpirja, familjarë të ngushtë me sëmundje të zemrës.

“Nuk ka trajtim më të mirë se parandalimi.”

Cilat janë komplikimet e një sulmi të heshtur të zemrës?

Sulmet e heshtura mund të shkaktojnë: çrregullime të ritmit të zemrës , pamjaftueshmëri kardiake, si dhe rritin rriskun për vdekje të papritur nëse nuk trajtohen me kohë.

Mesazhi im

Në punën time si mjek, kam parë se më të rrezikshme janë gjërat që nuk ndodhin me zhurmë, një prej tyre është “Sulmi i heshtur i zemrës”

“Zemra juaj punon për ju çdo sekondë – a nuk meriton ajo që ju të kujdeseni për të të paktën një herë në vit?”

Mos e lini shëndetin në fatin e rastësisë. Nëse ndjeni diçka të pazakontë—qoftë edhe një lodhje e re – mos e injoroni. Një EKG mund të jetë ajo që ju shpëton jetën.

Related posts

Tottenham ofron 17 milionë euro për Depay

Gazeta Max

Festim Alidema “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Gazeta Max

Hamilton: E madhe nga Mercedes t’i mposhte të dy Ferrarit në Hungari

Gazeta Max