Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka rikujtuar kohën kur ishte pjesë e koalicionit VLEN, duke theksuar se pavarësisht pozicionit të tij brenda koalicionit, ishte i pafuqishëm për të ndikuar edhe në vendime të thjeshta administrative, siç është ndërrimi i një drejtori shkolle.
Duke folur në emisionin “Debat në SHENJA”, Taravari solli në vëmendje rastin e shkollës në fshatin Podgorc të Strugës, ku u emërua një maqedonas si ushtrues detyre për drejtor, diçka që, sipas tij, ishte në kundërshtim me ndjeshmëritë e komunitetit lokal.
“Quhet një fshat Podgorc, në Strugë. Aty çdoherë drejtor ka qenë torbesh ose shqiptarë. 95% e popullatës janë myslimanë. Herën e parë pas 35 viteve u vendos një ushtrues detyre – një maqedonas me tatuazh në të gjithë trupin,” tha Taravari.
Ai theksoi se, ndonëse fshati kishte treguar përkrahje të fuqishme për VLEN në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, vendimi për drejtorin u mor pa konsultim, duke shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi.