GazetaMax
Lajme

Taravari: Nëse marrim garanci për 80 vota, mund t’i fillojmë negociatat për të hyrë në Qeveri

Shkup, 24 janar – Aleanca për Shqiptarët (ASH) është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme në qershor ose shtator të këtij viti, por vetëm nëse merr garanci prej subjekteve politike, duke e përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në, se do të fillojë procesi për ndryshime kushtetuese dhe në këtë rast nuk do të hyjë në Qeveri. Nëse, i merr garancitë se mund të arrihet numri prej 80 votash, atëherë do të fillojë negociatat për të hyrë në Qeveri.

Siç tha sonte kryetari i ASH-së, Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët akoma është parti opozitare dhe akoma është në lojë. Në parti ka qëndrime pro dhe kontra. Të premten, kryesia qendrore do të vendosë nëse do të bëhen pjesë e Qeverisë.

Sipas Taravarit, të qarta janë mesazhet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë – se ndryshimet kushtetuese duhet të sillen që vendi të shkojë përpara.

“Të hysh në Qeveri me skandale është e vështirë dhe kjo mund të na reflektohet në rejting, por ndonjëherë qytetarët dhe shoqëria janë më të rëndësishme se partia. Nëse kemi garanci se mund të arrihet numri prej 80 votash, atëherë mund të fillojmë me negociata, nëse jo, do të mendojmë edhe ne. Nuk dëshirojmë ta rrezikojmë rejtingun tonë. Por, i shikoni mesazhet e të gjithë aktorëve relevantë – të gjithë thonë është mirë që vendi së bashku me Shqipërinë t’i vazhdojë negociatat”. Nëse Qeveria e konfirmon se mund t’i sigurojë 80 vota, ky është kusht. Le të bëjmë konsensus se jemi duke e hapur Kushtetutën dhe atëherë po të shkojmë në zgjedhje të parakohshme në qershor ose shtator, në këtë rast nuk hyjmë në Qeveri. Do të thotë, nuk do të bënim hapa rrezikues nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse kemi garanci nga VMRO-DPMNE se do t’i fillojmë ndryshimet kushtetuese, t’i kalojmë të dyja fazat dhe në qershor apo shtator të shkojmë në zgjedhor. Së bashku të gjejmë zgjidhje, t’i gjejmë 80 vota dhe t’i fillojmë negociatat”, tha Taravari në pjesëmarrjen e sontme në TV Sitell.

Nëse situata shihet vetëm në aspektin partiak, ASH, potencoi Taravari, është kritikuesja më e madhe e Qeverisë.

“Jemi të përballur me tri kriza – pushtimi i Ukrainës, kriza energjetike dhe ekonomike, si dhe dy kriza shtetërore: korrupsioni dhe krimi i organizuar në institucione, si dhe ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme për fillimin e negociatave. Ne e dimë se ku jemi dhe në çfarë situate jemi. Ndonjëherë ju duhet të dini se ku doni të shkoni. E them vazhdimisht dhe do ta përsëris edhe një herë, pavarësisht nëse do të jemi pjesë e koalicionit qeveritar apo do të mbetemi në opozitë, ne do t’i votojmë ndryshimet kushtetuese. Ky do të jetë kushti ynë për luftën kundër korrupsionit dhe për një shtet ligjor”, nënvizoi lideri i ASH-së.

Taravari e konfirmoi se gjatë hyrjes eventuale të partisë së tij në Qeveri, nuk do të largohet nga funksioni kryetar i Gostivarit.

Kam marrë mbështetje nga qytetarët për ta çuar mandatin deri në fund. Mendoj se është joserioze të tërhiqem dhe të jem ministër, ndërsa në ASH ka shumë mjekë cilësorë”, tha lideri i Aleancës për Shqiptarët, duke shtuar se ende nuk është rënë dakord asgjë konkrete me koalicionin qeveritar për ndonjë ndarje të posteve apo ministrive.

Taravari përmendi se pret edhe problematizim të funksionimit të komunave nga VMRO-DPMNE në qoftë se ASH bëhet pjesë e koalicionit qeveritar.

Related posts

Edhe Komisioni Europian dëshiron fillim të negociatave me BE-në deri në fund të Qershorit

Gazetamax.mk

Selam Isejni: Kaloj koha kur nuk na linin të rrim’ as në koridor!

Gazetamax.mk

Alternativa nuk ka realizu asgjë në 100 ditët e para në Qeveri, Zejdi pranon dështimin (VIDEO)

Gazetamax.mk