Friday, May 15, 2026

Lajmi në kohë reale

Tragjedi në Maldive! Këta janë pesë shtetasit italianë që humbën jetën në thellësitë e oqeanit, mes tyre profesoresha e njohur dhe vajza e saj 22-vjeçare

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë dhe opinionin publik ndërkombëtar, pasi pesë persona humbën jetën gjatë një ekspedite zhytjeje në një shpellë nënujore në Maldive. Tragjedia ndodhi në një atol të njohur të arkipelagut, ku grupi i zhytësve ishte futur në një thellësi prej rreth 50 metrash, në një sistem shpellash që shtrihet për më shumë se 200 metra nën ujë.

Sipas mediave italiane, deri tani është gjetur vetëm një trup, ndërsa katër personat e tjerë besohet se kanë mbetur të bllokuar në pjesë të tjera të shpellës. Operacionet e kërkimshpëtimit janë pezulluar përkohësisht për shkak të motit të keq dhe rrymave të forta detare, ndërsa autoritetet lokale kanë shpallur alarm “të verdhë” për fenomene të rrezikshme atmosferike në zonë.

Mes viktimave ndodhet profesorja e njohur e Ekologjisë në Universitetin e Xhenovës, Monica Montefalcone, 51 vjeçe, e cila ishte një figurë e respektuar në fushën e studimeve detare dhe ndryshimeve klimatike. Ajo kishte ndërtuar një karrierë të gjatë shkencore të fokusuar në mbrojtjen e ekosistemeve nënujore dhe ndikimin e aktivitetit njerëzor në natyrë.

Në këtë tragjedi humbi jetën edhe vajza e saj, Giorgia Somacal, e cila do të festonte 23-vjetorin më 1 qershor. E reja studionte inxhinieri biomjekësore dhe sipas miqve të familjes, kishte trashëguar nga nëna dashurinë për detin dhe eksplorimin.

Viktima të tjera janë edhe dy studentë të Universitetit të Xhenovës, 30-vjeçari Federico Gualtieri dhe 31-vjeçarja Muriel Odenino. Të dy ishin pjesë e një ekspedite shkencore të nisur dy javë më parë në Maldive, nën drejtimin e profesoreshës Montefalcone. Federico po punonte mbi një tezë shkencore që lidhej me biodiversitetin dhe mjedisin e atoleve të Maldiveve, ndërsa Muriel, e diplomuar në Universitetin e Torinos, ishte e apasionuar pas zhytjes dhe kërkimeve detare.

Në mesin e viktimave ndodhet edhe instruktori i zhytjes Gianluca Benedetti, një emër i njohur për komunitetin e zhytësve në Maldive. Ai kishte lënë pas një karrierë në sektorin bankar dhe financiar për t’iu përkushtuar pasionit të tij për botën nënujore. Benedetti jetonte prej shtatë vitesh në Maldive dhe konsiderohej një ekspert i zonës.

Hetimet paraprake po fokusohen në disa pista të mundshme që mund të kenë çuar në tragjedi. Autoritetet dyshojnë për probleme me përzierjen e oksigjenit në rezervuarët e zhytjes, rryma të papritura detare, mot të paqëndrueshëm ose humbje orientimi brenda shpellës së errët nënujore. Mediat lokale raportojnë gjithashtu se zhytjet në atë zonë lejohen deri në 30 metra thellësi, çka ka ngritur pikëpyetje mbi kushtet dhe sigurinë e ekspeditës.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Itali, veçanërisht në komunitetin akademik dhe atë shkencor, ku profesorja Montefalcone dhe ekipi i saj njiheshin për përkushtimin ndaj kërkimeve mbi ruajtjen e mjedisit detar. Mesazhe ngushëllimi dhe homazhe kanë vërshuar në rrjetet sociale, ndërsa familjarët dhe kolegët presin me ankth zhvillimet e operacionit të kërkimit në Maldive.

Latest Posts

Mos e humb lajmin