Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është shprehur i kënaqur pas fitores së madhe 2:1 ndaj Atletico Madridit në stadiumin “Metropolitano”, në kuadër të javës së 12-të të La Ligës.
Strategu gjerman vlerësoi paraqitjen e skuadrës, veçanërisht në pjesën e dytë, ndërsa theksoi rëndësinë e madhe të përfundimit të kësaj faze të kampionatit në vendin e parë.
I pyetur se sa e rëndësishme është të shkosh në pushimin e ndeshjeve të kombëtareve si lider i kampionatit,
Flick u përgjigj shkurt dhe qartë te gazeta spanjolle “Marca”:
“Nga 1 deri në 10, një 10!”
Sa i përket ndeshjes, Flick pranoi se Barcelona nuk ishte në nivelin e duhur në pjesën e parë, por vlerësoi reagimin e futbollistëve.
“Goli për 1:1 para pushimit ishte shumë i rëndësishëm. Nuk ishte e lehtë të ushtronim presion ndaj kundërshtarit. Pjesa e dytë ishte e mirë. Jam i lumtur, e merituam fitoren dhe morëm edhe tri pikë të tjera”, deklaroi trajneri gjerman.
Për përballjen ndaj Atletico Madridit, ai shtoi:
“Kemi cilësinë për t’i fituar këto ndeshje. Unë besoj në këtë ekip. Nuk është e lehtë të fitosh këtu. Sezoni është një rrugëtim i gjatë. Ne punojmë çdo ditë për të fituar trofe dhe për të pasur sukses”.
Flick foli edhe për rëndësinë e menaxhimit të futbollistëve gjatë pushimit ndërkombëtar, duke theksuar se duhet pasur kujdes me ngarkesën e tyre.
Barcelona e mbyll këtë fazë të kampionatit në krye të tabelës me 33 pikë, tri më shumë se Real Madridi.
Burimi: botasot.info
