GazetaMax
Lajme

Viti 2023 vendimtar për ndryshimet Kushtetuese dhe ecurinë e vendit drejt BE-së!

Shkup, 14 dhjetor – Në Maqedoninë e Veriut në korrik të këtij viti ka filluar skriningu bilateral si pjesë e fillimit zyrtar të negociatave ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Por, pa marrë ende datën e shumëpritur për fillim të negociatave, ky mbase ishte hapi i fundit drejt marrjes së datës, por para kësaj Maqedonia e Veriut para vetes ka një sfidë shumë të madhe për sa i përket realizimit të ndryshimeve Kushtetuese, për të cilën nevojiten 80 vota. Skriningu sipas gjitha gjasave pritet të përfundojë deri në vjeshtën e vitit që vjen, periudhë që duhet të shfrytëzohet nga partitë qeveritare që të sigurojnë shumicën e nevojshme për të votuar ndryshimet Kushtetuese. VMRO-DPMNE kategorikisht kundër, partitë opozitare shqiptare kanë vendosë kushte, kjo tregon që Qeveria nuk do ta ketë aspak të lehtë. E që po dështuan në këtë rast, Maqedonia e Veriut do të stagnojë dhe do të largohet nga rrugëtimi evropian, shkruan Zhurnal.

Çfarë është skriningu kur filloi dhe kur pritet të përfundojë?

Republika e Maqedonisë së Veriut më 19 korrik në Bruksel filloi procesin e skriningut bilateral. Maqedonia e Veriut, që nga pavarësia e saj në vitin 1991, ka shprehur qartë dhe pa mëdyshje vendosmërinë e saj strategjike për anëtarësim të plotë në NATO dhe BE dhe me gjithë kapacitetin e saj administrativ dhe social është e përkushtuar për arritjen e këtyre qëllimeve.

Qeveria beson se Metodologjia e re, e miratuar në mars 2022, do t’i japë një shtysë të re negociatave të anëtarësimit dhe do të konfirmojë përkushtimin e Bashkimit ndaj politikës së zgjerimit bashkë me angazhimet e dhëna  në agjendën e Selanikut dhe deklaratat pasuese nga Sofja, Zagrebi dhe Bërdo. Në të njëjtën kohë, pritet që Metodologjia e re të tregojë dhe të vërtetojë në vepër qëllimin e saj kryesor – dinamizmin e negociatave të anëtarësimit, transformimin e përshpejtuar dhe të pakthyeshëm të shoqërive tona në demokraci plotësisht funksionale të barabarta me anëtarët e Unionit, konvergjenca e ekonomive tona dhe zvogëlimi i dallimeve në krahasim me ato të vendeve anëtare të BE-së, në nivel rajonal  dhe atë shtetëror. Skrinigu sipas të gjitha gjasave pritet të përfundojë në vjeshtë të vitit të ardhshëm, dhe përgjatë kësaj periudhe pritet që qeveria të përgatit kushtet e posaçme për plotësimin e kushtit të nevojshëm, ndryshimet Kushtetuese.

Skriningu është një operacion formal dhe teknik i kryer nga Komisioni Evropian, me qëllim të përgatitje së negociatave të anëtarësimit dhe paraqet prezantim analitik i ligjit të BE-së dhe situatës në vendin kandidat në lidhje me të. Më konkretisht, si proces synon nga njëra anë  t’i njohë vendet kandidate me trashëgiminë ligjore të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë t’i përgatisë për negociatat. Nga ana tjetër, qëllimi është t’i mundësohet Komisionit dhe vendeve anëtare të vlerësojnë shkallën e përgatitjes së vendeve kandidate, që të informohen për planet e tyre të ardhshme dhe të marrin udhëzime paraprake për çështjet që do të jenë më aktuale në negociata.

Përgjatë vitit 2023 pritet të ndodhin ndryshimet Kushtetuese, poqë nuk u realizuan vendi largohet nga BE-ja-

Ndryshimet Kushtetuese janë kusht për vazhdimin e rrugëtimit drejt BE-së, përmes të cilave ndryshime parashihet që edhe populli bullgar të futet si pjesë integrale në Kushtetutë, e për këtë kategorikisht është shprehur kundër partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Por, edhe përbrenda kësaj partie ka diku afër 6 deputetë që janë të luhatur dhe mund të veprojnë e votojnë në kundërshtim me qëndrimet partiake, por kjo krejt varet prej asaj se a do të arrijnë partitë qeveritare të bindin edhe deputetët për të votuar pro ndryshimeve Kushtetuese.

Nga, opozita shqiptare Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët janë shprehur se do të votojnë pro ndryshimeve Kushtetuese, por me një kusht të vetëm që kur të hapet Kushtetuta të bëhet edhe ndryshimi për gjuhën shqipe që në Kushtetutë figuron si “gjuha që e flasin 20% të popullsisë”, pra sipas tyre ky përkufizim është ofendues ndaj popullit shqiptarë dhe gjuhës shqipe. Mes tjerash për këtë të fundit, Aleancën për Shqiptarët, kohëve të fundit është folur shumë për bashkëngjitje në këtë përbërje qeveritare.

Kur flitet për të ardhmen evropiane janë të detyrueshme ndryshimet Kushtetuese të cilat janë parapara të ndodhin edhe sipas marrëveshjes me Bullgarinë. Por, këto ndryshime nuk mund të bëhen dot pa përkrahjen e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare, nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend apo me 80 vota të deputetëve nga 120 sa janë të gjithë. Qeveria aktuale përbëhet nga 63 deputetë, që nënkuptohet se janë të nevojshme edhe 17 deputet apo vota të tyre që ndryshimet e tilla të ndodhin.

Opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë gjithsej 10 deputetë, 7 nga ASH dhe 3 nga LB, por edhe përkundër faktit që këto parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre nuk garantojnë që do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nëse nuk plotësohet kushtëzimi tyre që është kryekëput largimi i përqindjes për gjuhën shqipe nga Kushtetuta. Por, edhe nëse plotësohet kushti i këtyre dy partive opozitare shqiptare, shumica parlamentare do të sigurojë 74 vota apo deputetë, që janë të nevojshëm edhe 6 të tjerë, që shpresat e fundit mbesin te deputet e VMRO-së.

Poqë e lëshoi këtë mundësi Maqedonia e Veriut do të largohen e stagnohet nga rrugëtimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe kjo do të ishte një regres i gjithanshëm, pothuajse në gjitha sferat e jetës, si në politikën e jashtme dhe atë të brendshme, në arsim, shëndetësi, pasojat do të jenë të faturuara për të gjithë shoqërinë pa dallim. /Zhurnal.mk

Related posts

Lladrovci pret në konak liderin e BDI-së, Ali Ahmetin

Gazetamax.mk

Shkup-Bllacë, 18 milionë euro për 1 kilometër dhe autostrada askund?

Gazetamax.mk

Qindra mijëra persona largohen nga Maqedonia e Veriut në dekadën e fundit

Gazetamax.mk