Dje qarkulloi në mediat e Kosovës një lajm sipas të cilit Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur një hetim pasuror ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Lajmi nuk u konfirmua zyrtarisht, por u bazua vetëm në burime mediatike.
Për këtë, Presidenca ka dhënë një reagim zyrtar përmes zëdhënësit Bekim Kupina. Ai ka theksuar se Presidentja Osmani është e hapur ndaj çdo hetimi, por për momentin nuk ka asnjë konfirmim lidhur me lajmin e publikuar.
“Presidentja Osmani mirëpret çdo verifikim nga institucione të pavarura, me paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në kuadër të fushatave për njollosje, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin,” tha Kupina për mediat në Kosovë.

