GazetaMax
Lajme

Vuçiq thotë se Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe të parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.
Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.
Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.
“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.
Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.
Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga Dallibor Jevtiq.
“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.
Vuçiq gjithashtu theksoi që për serbët e Kosovës do të përgatiten vendvotime në komunat në Serbinë qendrore.
Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.
Vuçiq sot është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd.
Sot, po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.
Temat e takimeve nuk janë bërë të ditura zyrtarisht./REL

Related posts

Baçovski: Bllokada në Kuvend është pengesë serioze për subvencionet e kultivuesve të duhanit

Gazetamax.mk

Nuk do të rriten çmimet e taksave për rrugë

Gazetamax.mk

Mexhiti: Gjithçka është veç Qeveri Evropiane nuk është!?

Gazetamax.mk