Me urdhër të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, është dekoruar me titullin e lartë “Urdhri i Shën Olenës, Klasa e Parë”.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Tiranë, ku ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i përcolli Spiropalit nderimin në emër të presidentit ukrainas.
“Në emër të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kam nderin dhe kënaqësinë të njoftoj se me Dekretin Nr. 617/2025 të Presidentit të Ukrainës, të datës 23 gusht 2025, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, është dekoruar me Urdhrin e Shën Olenës, Klasa e Parë, një nga nderimet më të larta shtetërore të Ukrainës”, tha ambasadori Shkurov.
Ky titull, i cili u jepet grave me merita të veçanta për shtetin dhe shoqërinë ukrainase, iu akordua Spiropalit për kontributin personal në forcimin e marrëdhënieve mes Ukrainës dhe Shqipërisë; mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës; veprimtarinë e saj të angazhuar në fushën e bamirësisë; përpjekjet për promovimin e Ukrainës në arenën ndërkombëtare.
“Kjo dekoratë është shenjë e mirënjohjes së thellë nga ana e popullit ukrainas për solidaritetin e treguar në momentet më të vështira të historisë sonë të re, si dhe për miqësinë e sinqertë që vazhdon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. E urojmë përzemërsisht Elisa Spiropalin për këtë vlerësim të merituar”, përfundoi ambasadori.