Kostovski: Buteli pas dy dekadave fiton shëtitore moderne përgjatë lumit Serava
“Një nga kërkesat më të mëdha të qytetarëve të Komunës së Butelit po realizohet me mbështetjen e Qytetit të Shkupit. Projekti që për dekada ishte premtuar për banorët e komunës, tashmë po bëhet realitet”, ka shkruar kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, në faqen e tij zyrtare në facebook. Sipas tij, në bashkëpunim me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, po zhvillohen punimet për pastrimin e shtratit të lumit Serava dhe ndërtimin e shtegut për këmbësorë përgjatë lumit në lagjen Butel 1. Kostovski theksoi se ky segment i shtratit të lumit po pastrohet për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh, ndërsa paralelisht po ndërtohet një shteg me gjatësi prej 1.590 metrash. Ai bëri të ditur se projekti përfshin edhe vendosjen e ndriçimit të ri LED, stolave të rinj, gjelbërim shtesë, si dhe ndërtimin e këndeve të reja të lojërave për fëmijë. “Bashkë me Qytetin e Shkupit po e ndryshojmë pamjen e Komunës së Butelit. Së bashku do të merremi me sport dhe rekreacion në bregun e ri të lumit. Premtimet po i realizojmë”, ka theksuar Kostovski.