Kuwait Airways rifillon fluturimet pas sulmeve iraniane
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Kuvajtit (DGCA) njoftoi rifillimin e pjesshëm të operacioneve ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit, duke lejuar vetëm fluturimet e “Kuwait Airways” përmes Terminalit 4, pas vlerësimeve të dëmeve të shkaktuara nga një sulm iranian, transmeton Anadolu. Në një deklaratë, autoriteti tha se ekipet teknike dhe institucionet përkatëse “kanë përfunduar vlerësimet e dëmeve dhe kanë zbatuar masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e operacioneve ajrore”. Ai u bëri thirrje pasagjerëve të koordinohen drejtpërdrejt me “Kuwait Airways” për të verifikuar oraret e fluturimeve dhe detajet e udhëtimit. Më herët, Kuvajti tha se sulmet iraniane kanë vrarë një person, kanë plagosur disa të tjerë dhe kanë dëmtuar objekte kyç, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit dhe misione diplomatike, duke theksuar se “rezervon të drejtën” për t’iu përgjigjur sulmeve.