Vrau dhe fshehu kufomën e Klevis Lleshit, ekstradohet nga Italia Sajmir Kolaveri
Një 44-vjeçar i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin e shtetasit Sajmir Kolaveri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me vendimin e datës 25 shtator 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje. Sipas hetimeve, Kolaveri dyshohet se më 5 gusht 2020 ka bashkëpunuar me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal për vrasjen e Klevis Lleshit. Pas ekzekutimit, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim fshehjen e krimit. Pas mbërritjes në Shqipëri, 44-vjeçari iu dorëzua autoriteteve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.