Nga: Doc.Dr. Valon Ameti
Ky shkrim ofron një analizë të detajuar të performancës makroekonomike të Maqedonisë së Veriut, duke e krahasuar atë me dy ekonomitë fqinje, Shqipërinë dhe Kosovën. Fokus i veçantë i kushtohet indikatorëve të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), Prodhimit Kombëtar Bruto (GNP/GNI), dinamikave të inflacionit dhe hendekut strukturor midis rritjes së pagave nominale dhe kostos reale të jetesës. Përmes një metodologjie krahasuese të bazuar në të dhënat më të fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare (FMN, Banka Botërore), pra në fund shohim një se cili prej këtyre vendeve paraqet qëndrueshmëri dhe mirëqënie më të lartë ekonomike në periudhën aktuale.
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut po kalon një fazë tranzicioni post-krizë të karakterizuar nga një rritje e moderuar, por e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme gjeopolitike dhe tregtare.
GDP, GNP dhe Struktura Industriale.
Sipas të dhënave të fundit nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja reale e GDP-së për Maqedoninë e Veriut stabilizohet rreth 3.1%. Nominalisht, GDP-ja sillet rreth 20.7 miliardë dollarë, me një GDP për kokë banori që luhatet midis 11,500 dhe 11,900 USD.
Ndryshe nga fqinjtë e saj, Maqedonia e Veriut posedon një ekonomi më të industrializuar, ku Zonat e Lira Ekonomike (TIDZ) luajnë një rol kyç në thithjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), veçanërisht në sektorin e industrisë automobilistike dhe pjesëve të makinave. Sidoqoftë, Prodhimi Kombëtar Bruto (GNP) mbetet i varur në mënyrë kritike nga remitancat e diasporës, të cilat shërbejnë si një amortizator kryesor për konsumin privat. Edhe pse inflacioni ka rënë nga kulmet dyshifrore të periudhës 2022-2023, tregu i brendshëm po përballen me një inflacion kokëfortë që arriti në 4.8% (me rritje në prill deri në 5.7%). Ky inflacion është kryesisht i importuar (përmes kostove të energjisë) dhe i nxitur nga goditjet lokale gjeoklimatike në sektorin bujqësor.
Hendeku Paga-Çmime: Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI) tregon se ushqimet bazë kanë shënuar rritje vjetore deri në 8%, ndërsa transporti mbi 11%. Megjithëse paga mesatare nominale neto ka shënuar rritje duke arritur në rreth 45,900 denarë (rreth 745 euro), rritja reale e pagave është pothuajse zero ose negative. Ky ngurtësim vjen sepse rritja nominale ka ardhur nga vendimet administrative për rritjen e pagës minimale, ndërsa sektori privat (mikro-ndërmarrjet) nuk ka pasur rritje të produktivitetit për të mbështetur rritjen reale të rrogave.
Maqedoni e Veriut
Rritja reale e GDP-së = 3.1%
Shkalla e inflacionit = 4.8% deri 5.7%
Shqipëri
Rritja reale e GDP-së = 3.4%
Shkalla e inflacionit = 2.5 %deri 3.00%
Kosovë
Rritja reale e GDP-së = 3.8%
Shkalla e inflacionit = 3.5%
Shqipëria paraqet një dinamikë tjetër zhvillimi. GDP-ja për kokë banori ka tejkaluar Maqedoninë e Veriut, duke arritur në rreth 12,493 USD. Ky hov është gjeneruar kryesisht nga bumi në sektorin e turizmit dhe investimet e huaja në pasuri të paluajtshme.
Në aspektin monetar, forcimi i jashtëzakonshëm i Lekut shqiptar ndaj Euros ka shërbyer si një mburojë natyrale kundër inflacionit të importuar. Si rrjedhojë, Shqipëria ka shkallën më të ulët të inflacionit në rajon (2.5% – 3.0%). Pagat në Shqipëri kanë pësuar rritje më agresive strukturore, ndonëse vendi përballet me sfida të mëdha të shtrenjtimit të kostos së jetesës (qiratë dhe pronat) në zonat urbane.
Kosova mban shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në rajon (3.8%), e udhëhequr nga investimet kapitale dhe konsumi i brendshëm. Megjithatë, në terma absolutë, Kosova mbetet prapa me një GDP për kokë banori prej rreth 7,300 USD.
Kosova përdor Euron si monedhë zyrtare, gjë që eliminon rreziqet e kursit të këmbimit, por e zhvesh Bankën Qendrore nga instrumentet e politikës monetare. Deficiti tregtar i Kosovës është mjaft i lartë (eksportet mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të importeve), por ekonomia shfaq një likuiditet të lartë për shkak të remitancave masive nga diaspora, të cilat kapin vlerën e mbi 12.8% të GDP-së. Paga mesatare (~570 EUR) mbetet më e ulëta, por presioni i inflacionit mbi ushqimet është disi më i balancuar se në Maqedoninë e Veriut.
Nga pikëpamja e performancës së përgjithshme, Shqipëria pozicionohet më mirë aktualisht. Kombinimi i një rritjeje të qëndrueshme të GDP-së (3.4%), një GDP-je më të lartë për kokë banori, një monedhe të fortë (Leku) dhe, mbi të gjitha, një inflacioni mjaft të ulët në krahasim me rajonin, i jep Shqipërisë një avantazh të qartë makroekonomik. Turizmi ka krijuar një burim të qëndrueshëm të hyrjes së valutës së huaj.
Edhe pse Maqedonia e Veriut ka një pagë mesatare më të lartë se Kosova në letër, Kosova shfaq një dinamikë më elastike të mirëqenies familjare. Maqedonia e Veriut aktualisht vuan nga “stagflacioni relativ”: rritje e ulët ekonomike e shoqëruar me inflacion të lartë të çmimeve të konsumit, çka ka çuar në rënien e fuqisë blerëse reale të popullsisë. Kosova, megjithëse ka pagat më të ulëta, përfiton nga një rritje më e shpejtë ekonomike dhe një injektim masiv kesh nga diaspora që shkon direkt te konsumatori, duke zbutur varfërinë relative më mirë se sa strukturat industriale të Maqedonisë së Veriut.
