Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, njoftoi se ndërtimi i qendrës së re sportive-rekreative në lagjen Radishan – zona e epërme, po hyn në fazën përfundimtare.
Sipas tij, kompleksi i ri sportiv shtrihet në një sipërfaqe prej 2.000 metrash katrorë dhe përfshin një fushë të re futbolli me bar artificial, fushë basketbolli, tribuna të reja me ulëse, gardh metalik si dhe ndriçim LED.
Në kuadër të projektit është realizuar edhe rikonstruktimi dhe zgjerimi i këndit të lojërave për fëmijë, ndërsa është vendosur edhe inventar i ri urban.
“Kjo është një tjetër dëshmi se Komuna e Butelit po ndryshon. Vetëqeverisja lokale vazhdon të investojë dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e sportit dhe rekreacionit për të gjithë qytetarët”, theksoi Kostovski.
Ai shtoi se investimet në infrastrukturën sportive mbeten një nga prioritetet e komunës, me qëllim përmirësimin e kushteve për aktivitete sportive dhe rekreative për të gjitha grupmoshat.
