Në Kuvendin themelues të VLEN-it, të mbajtur në Tetovë, nënkryetarja e partisë, Mimoza Musa, rikujtoi rrugëtimin e koalicionit, sfidat e tejkaluara dhe rezultatet e arritura, duke theksuar se VLEN është konsoliduar si një alternativë serioze politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Duke folur për fillimet e këtij projekti politik, Musa tha se rruga ka qenë e mbushur me sfida, por se ato nuk e kanë ndalur përkushtimin për të çuar përpara vizionin e VLEN-it.
“Kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë, na punuan pas shpine, na tradhtuan, por nuk u dorëzuam. U ngjitëm lart e më lart dhe këtë e dëshmon sot puna jonë gjatë kësaj qeverisjeje dyvjeçare. Në afat rekord mblodhëm 1300 nënshkrimet për themelimin e partisë, duke iu përgjigjur qartë nevojave të votuesit dhe duke reflektuar peshë politike.”
Ajo rikujtoi se në zgjedhjet parlamentare VLEN fitoi 107 mijë vota shqiptare dhe në zgjedhjet lokale siguroi drejtimin e 10 komunave, duke e cilësuar këtë si dëshmi të besimit të qytetarëve ndaj projektit politik.
Musa veçoi edhe Kongresin e parë të mbajtur më 9 maj, ku pesë forca politike u bashkuan në një subjekt të vetëm.
“VLEN-i u bë NJË, duke bashkuar energjitë, potencialin dhe vullnetin politik të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët. Sepse në një kohë kur shumëkush investon në ndarje, ne zgjodhëm bashkimin. Sepse në një kohë kur politika shpesh matet me interesa të ngushta, ne zgjodhëm interesin qytetar.”
Në fjalimin e saj, ajo u ndal edhe te puna e deritanishme në qeverisje, duke përmendur ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, zgjidhjen e çështjes së Provimit të Jurisprudencës, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore si autostrada Shkup-Bllacë, Korridori 8, kampusi i UNT-së, Spitali i Kërçovës dhe Spitali i Tetovës, krahas investimeve në infrastrukturën bazë në komuna.
Në përfundim, Musa theksoi se qytetarët i kanë besuar VLEN-it dhe se ky besim do të vazhdojë të kthehet me punë, përgjegjësi dhe përkushtim.
