Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Abdush Demiri, së bashku me anëtarët Angellço Ristov, Aleksandar Dashtevski, si dhe sekretaren e përgjithshme të KSHZ-së, Ivana Kostadinoska, mori pjesë dhe iu drejtua pjesëmarrësve në Takimin e 13-të vjetor të organeve për menaxhimin e zgjedhjeve (EMBs), i cili më 17 dhe 18 qershor 2026 po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë, në organizim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë.
Në sesionin e tretë tematik kushtuar “Inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale në proceset zgjedhore: mundësitë dhe rreziqet”, Demiri mbajti fjalim në temën “Roli i organeve për menaxhimin e zgjedhjeve në mbrojtjen e integritetit zgjedhor në epokën e inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale”.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se transformimi digjital sjell mundësi të reja për administratat zgjedhore, por njëkohësisht hap edhe sfida serioze për ruajtjen dhe vazhdimësinë e besimit në proceset zgjedhore. Sipas tij, në kushte kur inteligjenca artificiale mundëson krijimin e gënjeshtrave dhe përmbajtjeve manipuluese gjithnjë e më bindëse, mbrojtja e integritetit zgjedhor nuk ka të bëjë më vetëm me procedurat zgjedhore, por edhe me ambientin informativ në të cilin qytetarët i formësojnë qëndrimet dhe vendimet e tyre.
Demiri nënvizoi se institucionet zgjedhore duhet t’u përshtaten ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe të zhvillojnë kapacitete të reja për të identifikuar dhe përballuar rreziqet digjitale, duke mbetur njëkohësisht besnike me parimet e transparencës, paanshmërisë dhe mbrojtjes së vlerave demokratike.
Duke iu referuar përvojave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ai theksoi se Komisioni në vazhdimësi ndjek trendet bashkëkohore teknologjike dhe mundësitë për zbatimin e tyre. Njëkohësisht, ai prezantoi zgjidhjet digjitale që KSHZ-ja tashmë po i zbaton për forcimin e integritetit të procesit zgjedhor, mes të cilave identifikimin biometrik të votuesve dhe sistemin softuerik për përzgjedhjen e rastësishme të anëtarëve të këshillave zgjedhore.
Në fjalim u theksua edhe nevoja për një kornizë të përshtatçme ligjore për t’u përballur me sfidat që sjellin platformat digjitale dhe rrjetet sociale në procesin zgjedhor. Demiri vuri në dukje se aktivitetet aktuale për reforma në Kodin Zgjedhor paraqesin një mundësi për vendosjen e kompetencave më të qarta institucionale dhe mekanizmave më efikasë për mbrojtjen e integritetit zgjedhor në hapësirën digjitale.
Ai potencoi se përballja e suksesshme me kërcënimet e organizuara digjitale kërkon një qasje të koordinuar dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve zgjedhore, rregullatorëve të mediave, kompanive teknologjike, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fund të fjalës së tij, Demiri porosit se zhvillimi teknologjik është i pashmangshëm, por se ruajtja e besimit në proceset demokratike varet nga aftësia e institucioneve për t’u përshtatur me kohë dhe për të siguruar kushte për zgjedhje kredibile, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Takimi vjetor i organeve për menaxhimin e zgjedhjeve përfaqëson një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira mes administratave zgjedhore. Forumi i këtij viti i kushtohet ndikimit të desinformimit, inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale mbi proceset zgjedhore dhe institucionet demokratike, ndërsa pjesëmarrësit diskutojnë për mekanizmat e mundshëm për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemeve zgjedhore dhe besimit të publikut në rezultatet e zgjedhjeve.
