Sekretari i Degës së BDI-së në Tetovë, Adem Avziu, ka reaguar ndaj Komunës së Tetovës lidhur me çështjen e riemërtimit të rrugëve, duke ngritur publikisht pyetjen nëse shumica komunale do ta ketë mbështetjen e këshilltarëve në seancën e nesërme të Këshillit Komunal.
Përmes një postimi publik, Avziu shkruan se nëse Komuna e Tetovës vërtet është pranë finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve, atëherë në seancën e nesërme për ndryshimin e emrave të rrugëve duhet të bëhet e qartë nëse Bilall Kasami do ta sigurojë mbështetjen e këshilltarëve të tij.
“Meqë Komuna e Tetovës qenka pranë finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve në Tetovë, atëherë i bëjmë ftesë PUBLIKE, thirrni që nesër seancën e Këshillit komunal për ndryshimin e emrave të rrugëve, BLLANKO do e keni mbështetjen e Këshilltarëve tonë!”, ka shkruar Avziu.
Reagimi i tij vjen pasi Komuna e Tetovës publikoi një qëndrim për çështjen e emërtimit të rrugëve, ku akuzon gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese se, në vend që të mbrojnë interesin shqiptar në institucione, po merren me politikë ditore.
Në reagimin e komunës thuhet se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë asnjëherë nuk është bërë i plotfuqishëm, pasi sipas tyre katër qeveritë e BDI-së pas vitit 2007 nuk e kanë kaluar si vendim në Qeveri, për çka emërtimet nuk kanë figuruar as në Kadastër e as në Regjistrin Qendror.
Po ashtu, Komuna e Tetovës vlerëson se hapja e kësaj procedure në këtë periudhë, kur sipas saj komuna është pranë finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve, nuk duhet të lejohet dhe se prapa saj qëndron tendenca për krijimin e tensioneve ndëretnike.
Me reagimin e tij, Avziu duket se sfidon drejtpërdrejt udhëheqjen komunale që deklaratat publike t’i shndërrojë në veprime konkrete në Këshillin Komunal, duke ofruar njëkohësisht edhe mbështetjen e këshilltarëve të BDI-së për këtë proces.


