Ditmir Bushati është një tjetër figurë nga radhët e PS që ka dalë në mbështetje të protestave në Tiranë.
Ish-ministri i Jashtëm ka postuar këtë të diel foto nga protesta e ditës së 21-të, ndërsa shkruan se qytetarët nuk janë të nxitur nga faktorë të jashtëm, por janë shqiptarë të revoltuar për gjendjen në vend.“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë”, shkruan ai.
Sipas Bushatit, çdo ditë që kalon e forcon bindjen se “Shqipëria e Re” nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm.“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i tij, raporton Euronews.alTë shtunën, më 20.06.2026, është protestuar për të 21-tën herë në Tiranë, në atë që tashmë quhet “Revolucioni i Flamengove”.Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që bëhen thirrje që ai dhe lideri i PD-së, Sali Berisha, të përfundojnë në burg.
Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të Ramës, duke thënë se kreu i qeverisë e ka përjetuar protestën e fundit si një “Vaterlo personale”.
Përmes një videomesazhi, Berisha u shpreh se protesta e qytetarëve, rinisë dhe diasporës përbën një moment historik, ndërsa sipas tij Rama e ka përjetuar atë si një disfatë të rëndë politike dhe i kërkoi kreut të qeverisë të largohet sa më parë.“Largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.Në fjalën e tij, kreu i qeverisë përdori si metaforë personazhin Fabrice del Dongo nga romani i Stendalit, për të folur mbi rrezikun e krijimit të bindjeve mbi iluzione dhe informacione të paverifikuara.
