Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të gjerë, ku sipas informacioneve jozyrtare, të paktën një pjesë e madhe e ministrave do të largohen nga postet e tyre.
Krahas ndryshimeve tek pozita e Zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Kryeministri Hristijan Mickoski pritet të bëjë ndryshime edhe në ministritë e Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Drejtësisë, Shëndetësisë, Kulturës dhe Turizmit, Arsimit, Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sportit dhe Bujqësisë, ndërsa nuk përjashtohen edhe lëvizje të tjera kadrovike.
Burimet qeveritare bëjnë të ditur se përbërja e re e kabinetit Mickoski II mund të shpallet zyrtarisht të martën kur edhe emrat e rinj pritet të dërgohen për miratim në Parlament.
Sipas këtyre informacioneve, nga posti i ministrit të Shëndetësisë pritet të largohet Azir Aliu derisa në vend të tij pritet të ulet kuadër i VMRO ku në lojë janë disa emra e mes tyre edhe Sinisha Stojanovski drejtor aktual i Klinikës Universitare 8 Shtatori si dhe drejtori aktual i Fondit për sigurim shëndetësor Sasho Klekovski. Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë pritet të largohet Cvetan Tripunovski, ndërsa në vend të tij përmendet emri i Borçe Serafimovski nga ZNAM i cili aktualisht mban pozitën e Sekretarit shtetëror.
Po ashtu, sipas të njëjtave burime, nga Qeveria pritet të largohen edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov ku në vend të tij pritet të ulet kuadër i Vlen-it dhe si emër përflitet profesori universitar Jeton Shasivari, ministrja e Arsimit Vesna Janevska e cila pritet të zëvendësohet me një kuadër tjetër të VMRO, ministri i Kulturës Zoran Ljutkov do të zëvendësohet me një kuadër të Vlen-it ku përflitet emri i zëvendësministrit aktual Sadat Sulejmani, si dhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani ku në vend të tij pritet të ulet zëvendësministri aktual nga VMRO Gjoko Velkovski.
Ndryshime pritet të ketë edhe në Ministrinë e Sportit ku pritet të ulet kuadër i Vlen-it si dhe gjithashtu edhe te Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive poashtu kuadër i Vlen-it.
Më herët, kryeministri Mickoski kishte paralajmëruar se rikonstruksioni i kabinetit qeveritar do të bëhet për shkak të ndryshimit të prioriteteve në punën e Qeverisë. Për të martën është caktuar mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ku pritet të bëhen publike edhe emrat e ministrave të rinj.
Përveç ministrave, pritet të ketë ndryshime edhe në pozitat drejtuese të institucioneve shtetërore, megjithëse deri më tani nuk janë publikuar emra konkretë.
Megjithatë, duhet theksuar se këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Qeveria, ndërsa bisedimet për përbërjen e re të kabinetit vazhdojnë.
Kryeministër:
Hristijan Mickoski
Zëvendëskryeministër i parë
Bekim Sali
Zëvendëskryeministër për Sistem Politik
Ljupço Dimovski
Zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë
VMRO
Ministria e Punëve të Brendshme
Pançe Toshkovski
Ministria e Mbrojtjes
Vllado Misajllovski
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme
Timço Mucunski
Ministria e Financave
Gordana Dimitrieska-Koçoska
Ministria e Shëndetësisë
Sinisha Stojanovski
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Vesna Janevska
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë
Gjoko Vellkovski
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale
Zllatko Perinski
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale
Sanja Bozhinovska
Ministria e Transportit
Aleksandar Nikolloski
Ministria e Transformimit Digjital
Stefan Andonovski
ZNAM
Ministria e Administratës Publike
Goran Minçev
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave
Borçe Serafimovski
VLEN
Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive
Bekim Sali
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
Muhamet Hoxha
Ministria e Sportit
Visar Ganiu
Ministria e Drejtësisë
Jeton Shasivari
Ministria e Kulturës dhe Turizmit
Sedat Sulejmani
Ministria e Ekonomisë dhe Punës
Besar Durmishi
