Me riorganizimin e paralajmëruar të Qeverisë, VLEN-i pritet të zgjerojë përgjegjësitë e tij në ekzekutiv, duke marrë drejtimin e disa dikastereve të rëndësishme, ndër to edhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, të cilën pritet ta udhëheqë Agon Ferati.
Sipas informacioneve, Ferati është propozuar për ministër të këtij resori, i cili ka rol kyç në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve dhe promovimin e bashkëjetesës në vend.
Përveç këtij emërimi, VLEN-i do të marrë në drejtim edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Për ministër të Drejtësisë është propozuar Jeton Shasivari, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore, ndërsa Sedat Sulejmani, i cili më parë ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit në të njëjtin resor, është propozuar për Ministër të Kulturës dhe Turizmit.
Ndërkohë, Bekim Sali do të vazhdojë të mbajë funksionin e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane.
Pas riorganizimit të kancelarisë qeverisëse, VLEN-i do të ketë në drejtim Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si dhe do të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.
Riorganizimi i ri i Qeverisë pritet të formalizohet pas përfundimit të procedurave institucionale dhe miratimit të ndryshimeve në përbërjen e kabinetit qeveritar.
